Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut përmbyll vitin 2020 pa vrasje

Bazuar në vlerësimet analitike të bëra nga raportet periodike përgjatë vitit 2020, në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë rajonale të policisë në Mitrovicën e Jugut, viti 2020  shënon rënie të përgjithshme të incidenteve dhe rasteve  të tjera.

Marrë parasysh se viti 2020 ishte një vit i sfidave të përgjithshme, ku me gjithë  angazhimet e vazhdueshme policore në mbrojtje të shëndetit  publik në zbatim të masave kundër Covidit-19, rezultatet e arritura janë inkurajuese. Kështu ka bëë të ditur përmes një komunikate zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Rënia e numrit të rasteve në përgjithësi rezulton efikasitetin dhe bashkëveprimin ndërmjet njësive e sektorëve të ndryshëm në përmbushje të planit vjetor të punës. Sa u përket rasteve të veprës penale ‘vrasje’ gjatë vitit 2020 nuk është shënuar asnjë rast i vrasjes në zonën e Drejtorisë rajonale të policisë në Mitrovicën e Jugut”, ka bërë të ditur Zahiti.

Ndërsa ka theksuar se krahasuar me vitin paraprak, rënie të veprave penale kanë shënuar veprat  (grabitje për -36%, lëndime të lehta trupore -26%, vjedhje të rënda -3,5%, sulm ndaj personit zyrtar -53%, falsifikim i parasë  -30%).  Ndërsa në fushën e sigurisë në trafikun rrugor rënie të rasteve kanë shënuar aksidentet me lëndime -18%, rrezikim i trafikut publik -43%.

“Po ashtu si rezultat i punës policore gjatë këtij viti janë konfiskuar 116 armë  dhe municione mbi 10.800 copë të llojeve të ndryshme. Ky rezultat reflekton angazhimet e vazhdueshme policore dhe masat e marra në parandalimin e veprave penale”, tha Zahiti.