Drejtori komunal në Skenderaj ofendon rëndë asamblisten e VV-së me fjalët “sorrë e zagaricë”

Rrjeti i Grave të Kosovës ka dërguar një letër publike për kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jasharin, për ofendimin që drejtori i kësaj komune, Ramiz Shala ka ofenduar asambleisten, Vjollca Ramadanin duke e quajtur “Sorrë” dhe “zagaricë”.

Në reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës, kërkohet nga kryetari i komunës që të distancohen nga drejtori Shala.

“Duke besuar se një gjuhë e tillë nuk duhet të ketë vend asnjëherë në insitutcione publike, dhe se atëherë kur përballemi me të duhet ta dënojmë pa asnjë kompromis, përmes kësaj letre u bëjmë thirrje që të distancoheni nga z.Shala dhe ta shkarkoni atë”, thuhet në reagimin e tyre.

Rrjeti i grave kanë thënë se “Sorrë” e “zagaricë” janë vetëm disa nga termet ofenduese që Shala i ka përmendur kur i është drejtuar Ramadanit përmes një publikimi në rrjetin social Facebook. Një gjuhë e tillë është simptomë e një mendësie e cila është dhe duhet të jetë e papranueshme për përfaqësuesit e institutcioneve tona.

Ndër tjera në reagimin e tyre thuhet se “Ju kujtojmë se angazhimi ynë për fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë, qoftë në nivel lokal apo atë nacional është i lidhur ngushtë me përpkjekjen e përditshme për të ndërtuar një shoqëri ku gratë dhe vajzat nuk diskriminohen dhe gëzojnë trajtim të barabaratë nga shoqëria dhe institucionet. Andaj, kërkojmë nga ju që të mos toleroni qasje si kjo, që është denigruese për gratë dhe pozitën e tyre në shoqëri”.