Drejtori i Policisë: Hetuesit e krimeve të rënda janë angazhuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, ende nuk ka të dyshuar.

Policia e Kosovës po interviston dëshmitarë potencialë dhe njerëz të tjerë që kanë pasur kontakt me shoferin e autobusit dhe dy nxënësve të ndjerë.

Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, ka thënë se gjithë hetuesit e krimeve të rënda janë angazhuar në këtë operacion.

“Gjithë hetuesit e krimeve të rënda janë angazhuar në këtë operacion policor e në marrje në pyetje të dëshmitarëve potencial e njerëzve që mund të jenë të lidhur në ndonjë rrethanë apo tjetër me viktimat ose me rastin. Kemi dy-tri pista, siç e potencuam edhe dje, që potencialisht mund të jenë motive të ndryshme. Kemi biseduar jo vetëm me Stacionin e Autobusëve, por edhe me njerëzit që kanë pasur kontakt me viktimat apo shoferin, dhe me gjithë personat potencialisht që kanë mundur të kenë kontakt apo informata lidhur me rastin”, ka thënë Mehmeti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ende nuk kanë një të dyshuar për krimin e rëndë në Gllogjan të Deçanit, ku mbetën të vrarë dy nxënës dhe shoferi i autobusit. Por kreu i qeverisë tha sot se informatat lidhur me vrasjen në Gllogjan janë duke u shtuar.

Qeveria e Kosovës ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për personin që jep informata që shpie në zbardhjen e rastit.