Drejtori i policisë e demanton me fakte Simiqin: Sulmet ndaj serbëve po i bëjnë kryesisht serbët

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj është “përplasur” sot me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, në mbledhjen e Komisionit për Komunitete dhe Kthim.

Qalaj e ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, janë duke raportuar në këtë komision.

Simiq e ka pyetur Qalajn se çfarë janë duke bërë në lidhje me hetimet për “sulmet e shumta ndaj komunitetit serb”. Ai i është referuar shifrës 100, kur ka folur për sulmet ndaj komunitetit serb.

Qalaj e ka kundërshtuar një gjë të tillë. Ka thënë se është gënjeshtër që janë sulmuar 100 objekte fetare ose kulturore serbe. Sipas statistikave që ai i ka lexuar del që shumica e sulmeve në Kosovë janë kundër xhamive.

“Nuk janë të vërteta shifrat që i keni ju nuk e di ku i keni marrë. Në total sulme ndaj objekteve fetare janë 87. Janë 56 objekte myslimane që janë sulmuar, 21 ortodokse, 6 katolike dhe 4 të tjera”, ka thënë Qalaj, përcjell “Koha Ditore”.

Sipas tij jo krejt sulmet ndaj komunitetit serb janë sulme me motiv etnik. Ai ka ironizuar me rastet që cilësohen si sulme etnike.

“Nëse rrahën disa fëmijë gjatë lojës, nuk është sulm etnik por thjesht rrahën mes veti disa fëmijë”, ka thënë ai.

Sipas tij shumica e sulmeve ndaj serbëve janë kryer nga serbët ashtu siç shumica e xhamive janë sulmuar nga qytetarë myslimanë.

“Në shumicën e rasteve kemi zbuluar se kush janë kryerësit, ua dërgojmë statistikat dhe e shihni kush janë”, ka thënë ai.