Raporti për vitin 2018 i Zyrës Kombëtare të Auditimit mbi pasqyrat financiare vjetore tregon një progres rrënjësor të Ministrisë së Shëndetësisë në krahasim me vitet e fundit. Nga 27 rekomandime në vitin 2017, Ministria e Shëndetësisë ka përmbushur shumicën prej tyre.
Kjo ka bërë që ZKA-ja të ndryshojë opinionin për Ministrinë e Shëndetësisë nga një opinion i kualifikuar (shkalla më e ulët e zbatimit) në 2017, në një opinion të pamodifikuar në vitin 2018 (shkalla më e lartë e zbatimit). Ky progres në Ministrinë e Shëndetësisë ka bërë që edhe USAID të nënvizoj dhe mbështesë reformat që kjo ministri ka arritur.
Drejtoresha e USAID, Lisa Magno, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka bërë reforma të mëdha në sistemin shëndetësor dhe në adresimin çështjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për çka ka përgëzuar të gjithë stafin me në krye ministrin Ismaili.
“USAID është e lumtur që të theksoj progresin e vërtetë që ka bërë Ministri dhe Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë drejtoresha Magno duke shtuar. “Ministria e Shëndetësisë ka bërë progres të madh në adresimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Hapi i parë është që të pranosh sfidat dhe problemet që i ke. E pa vullnet politik, nuk mund të bëhet shumë. Prandaj, zbatimet e rekomandimeve të Auditorit kanë kërkuar një vendosmëri, këmbëngulësi dhe një punë shumë të madhe. Dua që të nënvizoj punën e madhe që ministri, sekretari i përgjithshëm dhe gjithë stafi i Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë për t’i realizuar këto ndryshime dhe për t’u siguruar se këto ndryshime do të jenë të qëndrueshme”, ka shtuar ajo.
Drejtoresha e USAID, Lisa Magno, ka përmendur edhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për kujdesin e zemrës dhe stentimin në QKUK dhe investimet në blerjen e aparaturave mjekësore. “Por, unë dëshiroj të theksoj arritjen më të madhe që ka bërë kjo ministri, që është Udhëzimi Administrativ për blerjen e barnave me çmime referente. Kjo ka thyer disa monopole që është dashur të thyhen dhe çmimet e barnave janë bërë më të përballueshme për qytetarët”, ka thënë Lisa Magno.







