Drejtoresha e Financave të Prishtinës është milionere, kjo është pasuria e deklaruar prej saj

Është raportuar ditë më herët se Valbona Makolli është riemëruar Drejtoreshë e Financave në Komunën e Prishtinës, duke e marrë kështu edhe një mandat në krye të kësaj drejtorie.

Burime të Demokracia.com brenda komunës së Prishtinës konfirmojnë se për Makollin tashmë ka edhe vendim të nënshkruar nga kryetari i ri Përparim Rama.

Valbona Makolli ka deklaruar se ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej 1 milion e 540 mijë eurove, të cilat janë pronë e bashkëshortit të saj.

Si pasuri të paluajtshme, ajo ka deklaruar një shtëpi 1000 m2, në vlerë prej 800 mijë euro dhe pesë toka me sipërfaqe të ndryshme që kapin vlerën e 740 mijë euro.

Ndërsa, si pasuri të luajtshme, në vitin 2020 ajo ka deklaruar një veturë të tipit Mercedes E Class, gjithashtu pronë e bashkëshortit, vlera e së cilës është 12 mijë euro.

Drejtoresha e Financave ka 13 mijë e 570 euro para të gatshme, 2 mijë prej të cilave i përkasin bashkëshortit të saj.

Makolli ishte Drejtoreshë e Financave edhe gjatë mandatit të ish-kryetarit Shpend Ahmeti dhe e mban këtë pozitë që nga viti 2018.