Drejtësia në Kosovë, foshnje e lindur nga mamitë ndërkombëtare

Kur ish të burgosurit, u tronditën nga vendimet dhe parimet për ngritjen e sistemit të drejtësisë, pas çlirimit të vendit tonë, pak kush e ndjeu tronditjen si të veten. Ndërkombëtarët hiç se hiç.

Kur ish gjykatësit që na hetuan, na gjykuan dhe na dënuan u emëruan në postet vakante në gjyqësinë vendore, pak kujt i pengoi dhe nuk hasi në rezistencë as qytetare, as institucionale, sepse drejtësia kontrollohej nga ndërkombëtarët dhe nuk negociohej.

Ndërkombëtarët as që deshën të dëgjojnë për parimet e emërimeve në gjyqësi, sikur në vendet e veta demokratike. Për këtë fakt, për sistemin e drejtësisë, Kosova u bë shtet i drejtësisë sui generis. Prandaj, drejtësia në Kosovë, lindi si foshnje nga mamitë ndërkombëtare. Ish gjykatësi vijonte të dënonte, ish hetuesi, vijonte të hetonte, si në sistemin juridik ish jugosllav, si në shtetin e çliruar nga ai sistem kriminal.

Një ish bashkëpunëtor i Stassi-t, kurrë nuk do të lejohej në sistemin juridik të Gjermanisë, pas bashkimit të saj. Asnjë bashkëpunëtorë i KGB-së, nuk do të lejohej të integrohej në sistemin juridik të asnjë shteti të Bashkimit Evropian.

Për fat të keq, në Republikën e Kosovës, disa nga ish bashkëpunëtorët e shërbimit sekret jugosllav, UDB, u bënë pjesë e sistemit të drejtësisë, duke mos u zhvilluar asnjë proces lustrimi as vetingu për ta. Pa u gjykuar për krimet e tyre, ish gjykatësit dhe ish hetuesit, u bënë pjesë e pandashme e sistemit juridik të Kosovës.

Sot, në sistemin juridik të Republikës së Kosovës, vegjetojnë ende ish gjykatës të sistemit, ish prokurorë të sistemit, ish hetues të sistemit jugosllav, si askund në vendet ish komuniste.

Po të njëjtit kriminelë, pas çlirimit u bënë gjykatës të krejt niveleve të gjykatave, u bënë hetues në të gjitha nivelet e hetimeve, u bënë edhe avokat dhe ekspert për edukimin e brezave të rinj të juristëve, u bënë këshilltar juridik të kompanive dhe korporatave, madje, të këshilluar dhe konsultuar vazhdimisht nga ndërkombëtarët.

Sot, ish kriminelët e sistemit juridik jugosllav, janë pjesë e mbrojtur e Republikës së Kosovës.

Ish gjykatësi i ish sistemit jugosllav, duke mos u ndëshkuar për asnjë krim që ka bërë, ndjehet mirë sepse mësimet dhe përvojat e sistemit kriminal juridik jugosllav, i instaloi në sistemin juridik të Republikës së Kosovës.

Ish kriminelët e sistemit juridik jugosllav, edhe pas vdekjes së shtetit kriminel, vijuan krimin, duke mos lejuar pavarësi gjyqësore konform përvojave demokratike dhe vlerave të Bashkimit Evropian. Këta kriminelë të ish sistemit, janë kanceri i sistemit juridik të Republikës së Kosovës, për shkak të mungesës së dinjitetit dhe integritetit, për shkak të deficiteve të mëdha morale e patriotike, për shkak të mungesës së dijeve profesionale demokratike.

Kush i gjykoi dhe hetoi mbi 700 mijë shqiptarë në Kosovë? Kush dha dënime drakonike, me qindra shekuj burgje? Si mund të gjykoj drejt një ish gjykatës i shtetit kriminal si ish Jugosllavia…janë disa nga pyetjet që dalin vetvetiu.

Prandaj, sot e gjithë ditën, fajin kryesor për drejtësi të korruptuar dhe të kriminalizuar, e kanë ish përgjegjësit e ngritjes së sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, të cilët instaluan përvojën kriminale të një ish sistemi, duke i emëruar dhe duke i bërë pjesë të drejtësisë së Republikës së Kosovës ish gjykatësit, prokurorët dhe hetuesit e drejtësisë kriminale jugosllave.

Me të drejtë, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, kërkoi dhe kërkon veting në sistemin e drejtësisë. Pse jo…bile-bile, pse jo edhe ligji për lustrim.

Pas “kontributit” të mamive ndërkombëtare gjatë lindjes së drejtësisë, vijon “kontributi” ynë!

loading…