Përmbyllja e tranzicionit në sistemin e drejtësisë, avancimi i progresit dhe rikthimi i plotë i besimit të qytetarëve në shtetin ligjor ishin në fokus të diskutimit të sotëm të Agjendës së përbashkët “Drejtësia 2020”, Bordi i së cilës mbajti takimin e parë për këtë vit.

Me këtë rast u shpreh përkushtimi për planifikimin dhe zbatimin masave konkrete të agjendës “Drejtësia 2020” përfshirë implementimin me sukses të ligjeve të miratuara së fundmi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Bordi i Agjendës “Drejtësia 2020”, i përbërë nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, si dhe me pjesëmarrjen e ambasadores së EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, shefit të sektorit politik, ekonomik dhe për integrime evropiane në Zyrën e BE-së, Riccardo Serri, zëvendëses së Zyrës Politike dhe Ekonomike në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë Alison Storsve, kanë përcaktuar prioritetet e tremujorit të parë të këtij viti.

Përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë kosovare kanë shprehur përkushtimin e tyre të plotë ndaj fuqizimit të fushës së sundimit të ligjit në Kosovë, duke theksuar se Agjenda e përbashkët “Drejtësia 2020” është e fokusuar në masa konkrete të planifikuara dhe me afate kohore të përcaktuara.

Nga ana tjetër, partnerët zhvillimor kanë shprehur përkrahjen dhe mbështetjen e tyre të plotë me ekspertë dhe burime të tjera për këtë projekt, në mënyrë që kjo agjendë të ketë sukses.

“Drejtësia 2020” është e fokusuar në masa konkrete që synojnë përmirësimin e shpejtë të menaxhimit dhe efikasitetit brenda sistemit të drejtësisë.