Dredhia e Kurtit: Shkarkonte Veliun për Thaçin, amniston Kusarin për Radojiçiqin

Publikimi i disa përgjimeve ku implikohet Mimoza Kusari-Lila e në të cilat kuptohet se ajo ka biseduar me të shpallurin non-grata nga ShBA-ja, Millan Radojiçiq, nuk pritet ta shkarkojnë shefen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo po amnistohet nga shefi i saj në parti, kryeministri Albin Kurti.

Kusari-Lila, e cila në përgjime dëshmohet se është koordinuar për votimin e disa ligjeve në Kosovë me Listën Serbe, si dhe e pranon që ka biseduar për disa minuta me Radojiçiqin, ka thënë se ka kërkuar të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe t’ia shpjegojë rrethanat e ngjarjes.

Përgjimi i publikuar të hënën nga portali Nacionale dëshmon për një bisedë mes Kusari-Lilës dhe deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Për këtë bisedë, shefja e GP të LVV-së  ka thënë se Kurti nuk ia ka kërkuar dorëheqjen ani pse i ka bërë pyetje rreth përmbajtjes së saj.

“Unë kam kërkuar vet me ia shpjegu rrethanat të gjitha, kryeministri ka dëgju, i ka bë disa pyetje shtesë dhe nuk e ka kërkuar dorëheqjen time”, tha Kusari – Lila.

Por, kaq i butë, Kurti nuk ishte treguar me ish-ministrin e Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti I, Agim Veliun. Ky i fundit ishte shkarkuar për një fjalë goje në një televizion në Kosovë, e nga ku Kurti kishte ardhur në përfundim se Veliu ka dalë në mbështetje dhe po shkon në linjë me presidentin e Kosovës për çështjet politike në vend.

Asokohe, kryeministri i atëhershëm Albin Kurti dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishin në mesin e mospajtimeve për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë si pasojë e gjendjes me COVID-19, Kurti duke mbajtur pozicion kundër e Thaçi pro. Veliu mbështeti idenë e dytë, por e nesërmja e gjeti të shkarkuar.

Një ditë para shkarkimit të tij, Veliu në një paraqitje televizive kishte deklaruar se duhet të merren të gjitha masat, marrë parasysh edhe ato më ekstreme.

“Presidenti i Republikës ka propozuar që është mirë të bëhet gjendje e jashtëzakonshme, duke e pasur parasysh rritjen e numrit. Ai e shfrytëzon të drejtën e tij kushtetuese që ta paraqesë dekretin. Janë deputetët ata që e thonë fjalën e tyre, me votën pro ose kundër”, kishte thënë ai ndër të tjera, shkruan Paparaci.

Kurti ishte treguar fort i rreptë e i ashpër në cilësime ndaj Veliut, madje i kishte thënë se ka bërë tradhti të dyfishtë që kishte mbështetur Thaçin, një ndaj qeverisë së Kosovës e tjetrën ndaj policisë së Kosovës, por çuditërisht, ai është treguar fort i qetë për bisedën e koordinimin e Kusari – Lilës me persona të shpallur në kërkim nga Kosova e që janë në listë të zezë të SHBA-ve.

“Nuk mund të kemi në qeverinë e re, ministra që i sinkronizojnë e i harmonizojnë qëndrimet me dikë, jashtë qeverisë së re, me dikë nga regjimi i vjetër. Ajo kohë dhe ai kapitull është mbyllur dhe ka marrë fund, prandaj edhe njerëzit kur janë në këtë qeveri duhet të jenë e bëjnë e flasin sikur janë në këtë qeveri, e jo në ndonjë qeveri të mëhershme ose diku tjetër. As për deklarimin e djeshëm, kryetari i LDK-së, që mbështeti shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nuk u konsultua me mua. Kjo është shkelje e marrëveshjes sonë të koalicionit. Nuk mund ta mbështesë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të paralajmëruar nga presidenti, pa u konsultuar me partnerin tënd të koalicionit, nuk mundesh, ose edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh, sepse të shkarkojnë”, kishte deklaruar Kurti.

Derisa Kurti deklaronte ashpër se nuk mund të ketë ministra që sinkronizohen e harmonizojnë qëndrimet me “regjimin e vjetër”, duket se përtej disa pyetjeve sqaruese, nuk del ta ketë fort problem që shefja e deputetëve të partisë së tij, është koordinuar me personin e shpallur në kërkim, Milan Radojiçiq, për të cilin, kishte demonizuar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj se e kishte pritur në zyrë.

“Kjo zmbrapsje e presidentit, e cila u dokumentua sot, edhe para jush, tregon një lloj nxitimi të atij ministri që siç thotë populli ynë të bëhet me katolik se Papa. Pra, ta shpall shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Nëse presidenti dëshiron të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, nuk do të ketë ministra në qeverinë time ku ka aso që duan ta shpallin shpalljen ne mesnatë, mbaroj kjo punë, pra mund të flasësh, por jo si ministër më, tash është liria e shprehjes dhe duhet ta respektojmë lirinë e shprehjes, por nuk mund ta respektoj si ministër, andaj e lirova nga detyra”, deklaronte gjithashtu Kurti.

Lidhur me faktin që Kurti as s’e ka shkarkuar e as nuk ia ka kërkuar dorëheqjen Mimoza Kusari – Lilës është interesante të përmendet edhe një deklaratë e para disa ditëve e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti kur ishte pyetur për dorëheqjen e kryetarëve të komunave veriore të Kosovës.

Ai thoshte se nuk do t’i shkarkojë e as nuk do t’ua kërkojë dorëheqjen kryetarëve të komunave veriore të Kosovës.

“Dorëheqja është akt moral, ata nuk janë zgjedhur për t’u dorëhequr. Unë besoj se nuk iu vjen mirë as vet kryetarëve që ka pasur pjesëmarrje kaq të ulët. Asnjë kryetar nuk dëshiron që të ketë kaq pak dalje në zgjedhje. Zgjidhja për zgjedhje duhet të jetë ligjore, por unë nuk kam as të drejtë ligjore, institucionale dhe kushtetuese të kërkoj dorëheqjen e tyre, këtë se bëjë dot as nga pikëpamjet e mia politike dhe etike. Duhet zgjidhje tjetër për zgjedhje të reja që gjithashtu duhet të jetë ligjore. Presidentja e ka përmendur një mundësi që përmes nënshkrimit të qytetarëve të vijnë në atë situatë që për bindjen time është më e drejtë, arsyeshme dhe dobishme”, deklaroi ai.

Ndërkohë, gazetari Berat Buzhala i cili ka publikuar të hënën një pjesë të përgjimeve, ka paralajmëruar se do të vazhdojë me publikimin e pjesës tjetër të përgjimeve ku sipas tij do të kuptohen edhe shumë gjëra të tjera lidhur me bisedën që Kusari – Lila kishte me Milan Radojiçiqin dhe zyrtarin e Listës Serbe, Slavko Simiq.