Kreu i AAK-së

“Draft- statuti për Asociacionin”, Haradinaj e quan tradhtar Kurtin: I kaloj vijat e kuqe

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka hedhur akuza të forta në drejtim të kryeministri Kurti duke e quajtur tradhtar.

Haradinaj në Kanal10, ka thënë se Kurti ka tejkaluar vijat e kuqe kur ka shpreh gatishmërinë me nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, ku përfshihet draft- statuti i Asociacionit dhe përfshirja e rezolutës 1244 në preambulë.

“Kurti ka shkuar më larg se çdo imagjinatë e mundshme. Ai realisht ka ra dakord me mohuar shtetësinë Kosovës, për faktin se ai kur ka dashur me nënshkruar këtë dokument, në preambulë ky dokument thirret në rezolutën 1244. Pavarësia jonë mohon rezolutën 1244 për shkak se rezoluta 1244 në një farë mënyre ia ngrin sovranitetin Serbisë. Pra Kurti e ka bërë një tradhti”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, Kurti ka bërë tejkalim të kompetencave që i jep Kushtetuta.

“Kurti nuk ka mundur në asnjë mënyrë (me pranuar marrëveshjen), pra nuk ia lejon Kushtetua e Kosovës me pranuar një draft- statut të Asociacionit që thirret 1244. Kushtetua jonë mohon 1244, shpallja e pavarësisë tonë mohon atë. Pra Kurti realisht e ka tejkaluar çdo vijë të kuqe potenciale, është në pozicion kundër kushtetues”, është shprehur ai.

Sipas tij, Kurti ka shpreh gatishmëri me nënshkruar këtë marrëveshje pas asnjë konsultë me opozitën dhe pjesën tjetër të shoqërisë.

“Së pari të sqarojmë se Kurti pa konsulta, pra me asnjë nga ne në Kosovë, të paktën jo me opozitën, ka shpreh dëshirë me nënshkruar marrëveshjen për Asociacionin me këtë draft- statut, por Vuciq ka refuzuar sipas Kurtit. Kështu na ka tregu Kurti”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, kjo Qeveri e ka hallin më të madh se si me kamufluar këtë marrëveshje para qytetarëve të Kosovës.

“Këta janë unison, një fjalë një qëndrim, vetëm se e kryejnë role të ndryshme. Ju kujtohet kryetari Konjufca që thojke as asi as kësi nuk do të ketë çfarëdo lloj Asociacioni. Ju kujtohet zv/kryeministër Besnik Bislimi që në moment që vjen asociacioni në tavolinë unë jap dorëheqje,e kështu me radhë të gjithë.

Pra këta janë ata për menaxhimin e dëmit publik e kanë hallin e votuesve, qytetarëve kritikë dhe secili prej tyre po e kryen një rol”, është shprehur ai.