Draft-Rezoluta që i jep fund debatit për kufijtë

Liderët institucionalë të vendit janë takuar sot për të diskutuar për mundësinë e harmonizimit të një rezolute për dialogun, që propozohet të jetë gjithëpërfshirëse.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka takuar kryeministrin Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Dardan Gashi, të cilëve u ka thënë se dëshiron sa më shpejtë harmonizimin e qëndrimeve dhe hartimin e një rezolute, që do të votohej më pas në Kuvend.

Draft-Rezoluta përmban 6 pika, në të cilat theksohen parimet kryesore të pjesëmarrjes së Kosovës në Dialog.

Pika e parë thotë që Dialogu të mbyllet me njohje reciproke dhe se Kosova është vend unik e i pandarë.

“Kufijtë e Republikës së Kosovës janë të pacenueshëm dhe të panegociueshëm”, thuhet në pikën e parë.

Kjo përmendet edhe në pikën e dytë ku theksohet se “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm” si dhe se “Kosova nuk pranon nivel të tretë të pushtetit, që vë në dyshim funksionimin e brendshëm kushtetues dhe institucional”.

Në pikën e tretë theksohet se Kuvendi mbështet rolin lehtësues të BE-së dhe SHBA-së për marrëveshje.

Në pikat tjera është përmendur Delegacioni i përbërë nga Fatmir Limaj kryesues, Enver Hoxhaj zëvendëskryesues, Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Mahir Jagcilar, Avni Arifi anëtarë nga qeveria si dhe nga një përfaqësues i LDK-së, VV-së, PSD-së dhe Alternativës.

Sipas Kuvendit, ky delegacion që propozohet të mandatohet është i obliguar t’i raportojë Kuvendit për rrjedhat e dialogut.

Pika e fundit thekson se Kuvendi i Kosovës është autoriteti suprem që ratifikon marrëveshjet me 2/3 për “Territor, paqe, aleanca, çështje politike dhe ushtarake”.