Ekskluzive

Dosja: Vrasjet e shqiptarëve në Podujevë nga paramilitarët serbë (Emrat/DOKUMENT)

Katër vjet më parë, Gjykata e Qarkut në Prokuple të Serbisë, e kishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg policin Millosh Llukiq, nga Prokuplja.

Llukiq ishte shpallur fajtor për vrasjen e Hamdi Malokut (1936) nga fshati Bradash i komunës së Podujevës, më 24 prill 1999, rreth orës 10:00, në qendër të qytetit të Podujevës.

Agim Maloku, djali i të ndjerit Hamdi Maloku, pati thënë se familjarët nuk janë fare te kënaqur me vendimin e gjykatës dhe do të paraqesin ankesë në gjykatën e shkallë së dytë.

Mirëpo, nga ajo kohë e deri më tash, gjykata serbe nuk ka ndërmarrë asgjë, dhe rastin asnjëherë nuk është kthyer në rigjykim.

Llukiq së shpejti pritet të lirohet për vrasjen e kryer sa i ishte me uniformën e paramilitarit serb, gjatë luftës në Kosovë, shkruan Ballkani.info.

Ballkani.info e ka siguruar dokumentin zyrtar ku thuhej se Llukiq e kishte vrarë Hamdi Malokun.

Në këtë dokument, një lloj raporti për krimet e serbëve gjatë përiudhës së bombardimeve në Kosovë, janë përshkruar edhe krime tjera të policëve dhe paramiltarëve serbë.

Aty janë emrat e policëve tjerë që kanë kryer krime në Kosovë, respektivisht në Podujevë, dhe të cilët besohet se ende janë në liri ose kanë marrë dënime të lehta nga gjykatat në Serbi.

Në raport përmendet rasti kur policët e Njësisë Speciale serbe (SAJ) kanë vrarë katër civilë në Podujevë.

“Pjesëtarët e përbërjes rezervë të SAJ, Cvjetin Sasha dhe Demiroviq Dejan, kanë përdorur armë të zjarri ndaj një grupi të civilëve dhe i kanë privuar nga jeta Selman Gashin, Hamdi Duriqin, Fitnete Shabanin dhe Idriz Tahirin, të gjithë nga Podujeva. 15 persona tjera, gra dhe fëmijë, nuk janë identifikuar”, thuhet në raportin zyrtar të Serbisë.

Po ashtu aty përshkruhet edhe një rast në Gjilan i kryer nga polici rezervë (paramilitari) i stacionit në Gjilan, Momçillo Jovanoviq.

Ndërkaq më 6 maj të vitit 1999, në rrugën rajonal Lipjan-Vragoli, në vendin e quajtur “Megja”, janë gjetur pesë trupa, dy burra, dy gra dhe një fëmijë. Bëhej fjalë për familjen Blakçorri nga Podujeva – Miradije, Sabile, Mahmut, Labinot dhe Fehmi. /Ballkani.info/