Dosja e Prokurorisë| Për çfarë keqpërdorimi dyshohen 9 zyrtarët e Komunës së Lipjanit

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj Kushtrim Salihut, Xhelil Muratit, Labinot Dedushit, Valëzim Mziut, Driton Gashit, Ismet Jashanicës, Enver Elshanit, Rrahman Ollurit dhe Metë Bytyqit, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” dhe “Mashtrim”.

Në kërkesën e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit në cilësi të personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

“Kushtrim Salihu, si menaxher i kontratës së lidhur në mes të Komunës së Lipjanit, më 13 nëntor 2018, me titull “Rregullimi i fushës së futbollit në fshatin Magure, Komuna e Lipjanit”, në vlerë prej 299.555.41 euro, të cilët kanë përpiluar raport për realizimin e punimeve sipas përmasës dhe llogarisë të paraparë në kontratë, e që dyshohet që punimet të cilat janë paraqitur në raporte të njëjtat punime kinse janë realizuar, ndërsa të pandehurit Xhelil Murati, Valzim Mziu dh Labinot Dedushi, si anëtarë të komisionit për pranim teknik kanë bërë pranimin e punimeve me datë 06.11.2019 dhe kanë lëshuar certifikatën e përdorimit të fushës edhe pse punimet nuk janë realizuar sipas kontratës, kjo dëshmohet në bazë të gjendjes faktike në fushën e futbollit të lartcekur.”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Tutje thuhet se i pandehuri Driton Gashi, në cilësi të menaxherit të kontratës nga kompania “DINO”, edhe pse ka qenë në dijeni se punimet nuk janë kryer sipas paramasës të cekur në kontratë, ka përpiluar raporte kinse punimet kanë pëfunduar dhe me këtë rast janë bërë pagesat nga AK, Komuna e Lipjanit, edhe pse këto punime nuk ishin realizuar sipas kontratës.

“Pas pranimit teknik të punimeve, përfaqësues nga Komuna e Lipjanit me datë 31.08.2020, kanë lidhur kontratë me OE “Konaku Grup” me titull “Rregullimi i stadiumeve në Dobraj të Madhe dhe Magure”, faza e dytë në vlerë prej 118.000. 114.03 euro, ku në fushën në Magure për këtë projekt kanë qenë të parapara 50.983.12 euro, të pandehurit Labinot Dedushi, tani në pozitën e menaxherit të kontratës ka përpiluar raport kinse OE “Konaku Grup” i ka realizuar punimet edhe pse pozicionet e parapara me kontratë nuk janë realizuar”, thuhet më tej në kërkesën e Prokurorisë.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se të pandehurit Ismet Jashanica, Enver Elshani dhe Rrahman Olluri, në cilësi të anëtarëve të komisionit për pranim teknik, më 4 tetor 2021, kanë bërë pranimin teknik dhe kanë lëshuar certifikatë të përdorimit edhe pse punimet e parapara me kontratë nuk janë realizuar.

Ndërsa, i pandehuri Metë Bytyqi thuhet se në cilësi të menaxherit të kontratës nga kompania punëkryerëse “Konaku” Sh.p.k. edhe pse ka qenë në dijeni se punimet nuk janë kryer sipas paramasës së cekur në kontratë dhe ka përpiluar raporte kinse punimet kanë përfunduar, në këtë rast ka bërë pagesat nga AK, Komuna e Lipjanit, edhe pse këto punime nuk ishin realizuar sipas kontratës.

Me këto veprime, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim” nga neni 415, par.2 i Kodit Penal dhe “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 5 i Kodit Penal.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi që të pandehurit do të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale dhe mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarët, të cilët ende nuk janë intervistuar.

Po ashtu, thuhet se duke marrë parasysh faktin se këto veprat penale në rrethana në të cilat janë kryer, japin për të kuptuar se pesha e veprave penale të lartcekura, pasi që vlera e dëmit të shkaktuar është e konsiderueshme me qindra mijëra euro, mënyra dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, duke keqpërdor pozitën zyrtare, tregon se të njëjtit po të gjenden në liri, mund të përsërisin vepra penale të tilla.

Sipas prokurorisë, masat më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurve të parapara në nenin 173 të këtij Kodi do të ishin të pamjaftueshme për të siguruar praninë e personave të tillë në procedure.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se me qëllim të zhvillimit të rregullt dhe pa pengesë të procedurës penale në këtë çështje penalo-juridike, është e nevojshme që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimit, pasi që me asnjë masë alternative nuk do të arrihet që të sigurohet prania e të pandehurve gjatë zhvillimit të procedurës në këtë çështje penalo-juridike dhe procedura të zhvillohet pa pengesa.