Dortmundi fiton Kupën e Gjermanisë

Jadon Sancho dhe Erling Haaland shkëlqyen në triumfin e Borussia Dortmundit.

Dortmundi të enjten në mbrëmje e fitoi Kupën e Gjermanisë pas fitores së thellë kundër Leipzigut në finale, 4:1.

Dy gola të shpejtë për afër gjysmë ore lojë të shënuar nga Dortmundi në finalen e zhvilluar në Berlin, shuan shpresat e Leipzigut për një sukses të mundshëm.

Sancho shënoi i pari në minutën e pestë, ndërsa golin e dytë e realizoi Haaland në minutën e 28-të.

Sancho realizoi edhe një herë tjetër në minutën e parë të kohës shtesë për të shkuar në pushim me shifrat, 3:0.

Në pjesën e dytë, Dani Olmo e realizoi golin e vetëm për Leipzigun në minutën e 71-të.

Haalandi dhe Sancho nuk u ndalën deri në fund. Ky i dyti asistoi për sulmuesin norvegjez që vulosi rezultatin final tre minuta para fundit të ballafaqimit, për t’ia mohuar Leipzigut trofeun e parë në histori të klubit.

Kjo ka qenë finalja e 78-të e Kupës së Gjermanisë. Trajneri i Leipzigut, Julian Nagelsmann, do të shkojë te Bayern Munichu në verë për ta drejtuar skuadrën, pa e fituar asnjë trofe me skuadrën që e drejtoi me plot sukses. Do ta zëvendësojë në postin e trajnerit Hansi Flickun.

Dortmundi, që me Edin Terziqin e fitoi trofeun e parë, tani synimin e ka që ta zë vendin që dërgon në Ligën e Kampionëve. Do të luajë kundër Mainzit të dielën.

“Ky ka qenë plan i qartë. Do të doja ta ndihmoja ekipin të luajë futboll të mirë edhe në sezonin e ardhshëm. Në çfarëdo kapaciteti”, tha Terziq pas ndeshjes për ARD-në.

Për Dortmundin ishte trofeu i pestë në histori të klubit në Kupën e Gjermanisë.