Fidesz

“Dorëzohet” Hungaria, të hënën pritet ta ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO

Partia qeverisëse e Hungarisë, Fidesz, ka propozuar të martën që parlamenti të votojë për të ratifikuar ofertën e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n më 26 shkurt. Partia që udhëhiqet nga kryeministri Viktor Orban ka thënë se do ta mbështesë anëtarësimin e Suedisë, shkruan Reuters.

“Grupi ynë dëshiron të mbështesë kandidaturën e Suedisë për NATO”, thuhet në një dokument nga partia Fidesz, duke i kërkuar kryetarit të parlamentit të përfshijë votimin në agjendë për të hënën e ardhshme. Fidesz ka shumicë dërrmuese në parlament.

Suedia aplikoi për t’u bashkuar me NATO-n gati dy vjet më parë, që ishte kthesë historike në politikat e saj neutrale nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Pas një vonese të gjatë, Hungaria do të jetë anëtarja e fundit e NATO-s që do të miratojë ofertën e shtetit nordik për t’u bërë anëtari i 32-të i bllokut.

Ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonsson, përshëndeti raportimet për planet e Hungarisë për të ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Hungaria mund të diskutojë thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak me Suedinë nëse kryeministri i vendit skandinav Ulf Kristersson viziton Budapestin, ka thënë të hënën ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.

Hungaria merr me qira avionë luftarakë Gripen nga kompania suedeze SAAB bazuar në një kontratë të nënshkruar në vitin 2001.