Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar sot se ish-policit serb, Dejan Pantiq, akuzuar për sulm terrorist mbi objektin e KKZ-së, i është ndryshuar masa e sigurisë. Pantiqit, që ndodhej në paraburgim, tashmë i është ndryshuar masa e sigurisë në arrest shtëpiak.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ajo tha se ky ndryshim është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale.
“Ka qenë kërkesë e Prokurorisë Speciale që masa e sigurisë t’i ndryshohet nga paraburgim në arrest shtëpiak dhe gjykata ka aprovuar këtë ndryshim”, tha Gashi.
Kjo ishte edhe kërkesa e Goran Rakiqit, të cilën pushteti i Albin Kurtit ia plotësoi.
Lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e “listave sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës janë kushtet për heqjen e barrikadave të ngritura në këtë zonë, tha Rakiq, kryetar i Listës Serbe, në një protestë të mbajtur në Rudarë të Komunës së Zveçanit.
Protesta u mbajt në vendin ku ndodhet një nga nëntë barrikadat e ngritura nga disa qytetarë serbë në veri të Kosovës, pas arrestimit të ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, më 10 dhjetor.
“Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk do të ketë tërheqje të barrikadave, sepse jemi lodhur duke pritur se kush prej nesh është i radhës në listën për arrestim apo ekzekutim, vetëm pse jemi serbë”, tha Rakiq.







