Dorëzohen aktakuzat e para, nuk dihet kur ngritën

Gjykata Speciale ka paralajmëruar dje se shumë shpejt do të nis me ngritjen e aktakuzave edhe të profilit të lartë. Derisa tashmë Prokuroria Speciale për Kosovën i ka dorëzuar gjykatësit aktakuzat e para.

Në një komunikatë për media të lëshuar dje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar thuhet se kryetarja e Dhomave të Specializuara ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake “për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar”.

“Përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale, përveç nëse konfirmohet dhe derisa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”, thuhej në njoftimin për media.

Mirëpo, deri më tash nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

Nënkryetari i OVL-UCK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë për lajmi.net, se nuk kanë informacione për ngritje të aktakuzave. Derisa shton se ata nuk bashkëpunojnë me Gjykatën Speciale.

“Ne nuk bashkëpunojmë me Gjykatën Speciale, këtë gjykatë as që e njohim. Por, ne tash ju kemi bërë ftesë veteranëve që t’i përgjigjën kësaj gjykate, meqë këta deputetë tanë e kanë votuar dhe të mos japin precedent që të bëjnë arrestime. Përndryshe ne nuk kemi informacione, ne nuk bashkëpunojmë me Gjykatën”, ka thënë Haradinaj.

As avokatët e licencuar të Gjykatës Speciale nuk kanë informacion për ngritjen e aktakuzave përveç njoftimit që është lëshuar dje nga Gjykata Speciale.

Avokati, Kadri Osaj, ka thënë për lajmi.net, se nuk kanë informacion përveç atyre që kanë lexuar në media.

“Ne kurrfarë informacioni nga Gjykata nuk kemi. Ne jemi avokat të licencuar, por nuk dimë asgjë krejt ato çka thonë të tjerët janë supozime. Mund të ndodhë që janë ngritur aktakuzat ose janë në përfundim e sipër, për shkak se ka një periudhë të gjatë kohore që ata janë duke punuar në atë drejtim, mirëpo askush nuk e di çka po ndodh. Nuk dua të spekulojë, nuk kam informacion, dje e kam dëgjuar një prononcim të Trendafilovës, por nuk ishte e qartë se deri në cilën fazë kanë arritur”, ka thënë Osaj.

Se nuk kanë informacione konkrete e thotë edhe avokati  Teki Bokshi.

“Me të thënë te drejtën nuk kamë informacion konkret, vetëm ato që i kemi parë në portale”, ka thënë Bokshi shkurt për lajmi.net.

Ftesa për intervistim, Gjykata Speciale ka dërguar edhe gjatë ditës së sotme.

Janë ish-ushtaret e UÇK-së, Afrim Berisha dhe Faik Zogaj, të cilët kanë marr ftesë nga Specialja.

Madje Zogaj i cili tha se është ftuar në cilësinë e të akuzuarit, nuk do t’i përgjigjet kësaj ftese.

Ndryshe, gjatë vitit 2019, mbi 250 ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t’u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Në mesin e tyre ka pasur edhe ish-figura të larta të UKÇ-së, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës.