Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se dorëheqja e ministrit Rifat Latifi është paaftësi e kryeministrit Albin Kurti, për të organizuar punën e qeverisë.

Sipas tij, duhet kërkuar përgjegjësi edhe nga kryeministri për dorëheqjen e Latifit.

“Ndryshimi i tre ministrave në vetëm një vit e gjysmë nuk mund të jetë problem i vetë ministrave. Jo, ky është problem i keqmenaxhimit dhe paaftësisë së Kurtit për të organizuar punën e qeverisë. Për dorëheqjen e fundit të Latifit, ministrit të tretë me radhë, nuk duhet të kërkojmë përgjegjësi vetëm nga ministrat, por edhe nga kryeministri”, ka thënë Abdixhiku në një tubim me qytetarët e Pejës.

Ai shtoi se LDK nuk do të lejojë që pushteti t’i ndajë e t’i ndëshkojë qytetarët.

“LDK dhe qytetarët janë bashkë dhe të pandarë. Raporti ynë me qytetarë është jetik për të ardhmen e zhvilluar dhe të sigurt të Republikës”, tha ai Abdixhiku.

Abdixhiku tha se partia e tij po qëndron bashkë me qytetarët “në ditë të vështira për të gjithë, në mënyrë që së bashku ta ndërtojmë programin qeverisës për ditë të mira të për të gjithë”.

Ai tha se në periudhën “kulminante të padëgjueshmërisë qeveritare”, LDK po i dëgjon hallet e brengat e qytetarëve anembanë vendit.