Ish selektori i Kosovës që tani punon si instruktor në UEFA, Albert Bunjaki, të premten në emisionin sportiv “Favorit” dha deklaratë shokuese duke pohuar për përdorim të dopingut në futbollin kosovar. Në Federatën e Futbollit të Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se askush nuk guxon të deklarojë se në futbollin tonë përdoret dopingu. Sekretari Eroll Salihu ka folur rreth kësaj teme.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka dhënë opinionin e saj rreth deklarimit shokues të Albert Bunjakit, i cili të premten në emisionin sportiv “Favorit” në T7 me siguri të jashtëzakonshme tha se në futbollin e brendshëm të Kosovës përdoret Dopingu.

Ish selektori i Kosovës, i cili tani punon edhe si instruktor në UEFA, tha se kjo temë mund të “fshihet”, por e vërteta është se në Kosovë ka futbollistë që përdorin substanca të ndaluara dhe se duhet të nis urgjent lufta anti-doping, që deri më tani as që ka nis në vendin tonë.

“Dopingu është problem shumë i madh në Kosovë. Ne mundemi me e mbyll këtë temë dhe mundemi të mos e diskutojmë, mirëpo dopingu ekziston në futbollin e Kosovës, mjerisht. Ekziston ky problem, ka ekzistuar edhe më herët dhe ekziston edhe tani. Mirë është të bisedohet me lojtarë, ta kemi edhe qendrën e dopingut”, deklaroi Bunjaki në emisionin “Favorit”.