Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare. Ajo nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.
Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla nuk ka deklaruar dy pozita – një në biznesin e saj në Gjermani dhe tjetrin në një OJQ në Kosovë – dhe as nuk ka treguar për pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj në deklarimin që ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).
Deklarimi i pasurisë siç ka bërë ministrja e Jashtme dhe e Diasporës nuk është në përputhje me ligjin.
Betimi për Drejtësi ka hulumtuar pasurinë dhe posedon të gjitha dokumentet se zëvendëskryeministrja ka një biznes tjetër në Gjermani dhe mban funksionin e drejtoreshës ekzekutive.
Ajo figuron se është drejtoreshë ekzekutive në “ALBLINGUA UG”, organizatë kjo që ofron shërbime në lidhje me gjuhën shqipe dhe shërbime tjera gjuhësore, si dhe zhvillimin e aftësive për zonën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Dokumenti në gjuhën gjermani i firmës së Donika Gërvalla-Schwarz i siguruar nga Regjistri Tregtar B i Gjykatës së Rrethit të Bonit.
Ligji për Deklarimin e Pasurisë e obligon secilin zyrtar me funksione të larta publike, në këtë rast edhe ministren e Jashtme të deklarojë secilën pozitë tjetër në institucione publike ose private. Mosdeklarimi ose deklarimi i rremë i pasurisë hyn te veprat e përcaktuara me Kodin Penal, përkatësisht nenin 430.2.

Dokumenti i përkthyer në shqip i firmës së Donika Gërvalla-Schwarz i siguruar nga Regjistri Tregtar B i Gjykatës së Rrethit të Bonit.
Veç kësaj, zëvendëskryeministrja nuk ka deklaruar pasuri të bashkëshortit dhe as të anëtarëve të tjerë të familjes, pasi kështu kërkohet në nenin 5 të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë. Se a kanë pasuri familjarët e saj, kjo nuk dihet bazuar në deklarimin e Donika Gërvalla-Schwarz në AKK.
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës ka edhe një pozitë tjetër në një OJQ që është Fondacioni “Jusuf Gërvalla”. Aty figuron se ushtron funksionin e drejtoreshës dhe përfaqësues së autorizuar. Edhe ky funksion bie në kundërshtim me nenin 14.1 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Ushtrimin e Funksionit Publik që përcakton se: “Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës dhe veprimtarive humanitare dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me to”.

Dokumenti i siguruar nga Sistemi Elektronik i Organizatave Joqeveritare në Kosovë
Në deklarimin e pasurisë që e ka bërë më 22 prill të këtij viti në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), Donika Gërvalla ka publikuar vetëm funksionin e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe si zëvendëskryeministre. Nga këto pozita ka deklaruar të ardhura 1 mijë e 222 euro në muaj. Ka deklaruar se nga institucionet gjyqësore gjermane ka pranuar të hyra prej 27 mijë eurosh. Ka treguar se posedon tokë bujqësore dhe një shtëpi, vlera e të cilave është 120 mijë euro si dhe një veturë personale në vlerë prej 10 mijë euro.
Ndërkohë, Betimi për Drejtësi nga e enjtja ka dërguar pyetje te ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, e cila nuk ka kthyer përgjigje se pse në deklarimin e pasurisë nuk ka përfshirë një biznes të saj në Gjermani, nuk ka deklaruar asnjë pasuri të bashkëshortit dhe fëmijëve të saj si dhe nuk ka deklaruar që është përfaqësuese e autorizuar e një fondacioni.
Emërimi i Donika Gërvalla në pozitë qeveritare është bërë më 22 mars të këtij viti. Ajo kishte marrë 71 mijë e 722 vota në listën e Lëvizjes Vetëvendosje ku kishte shkuar bashkë me disa zyrtarë tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Donika Gërvalla është e martuar ne politikanin gjerman, Stefan Schwarc dhe kanë pesë fëmijë.







