Donika Gërvalla në vitin 2019: Thaçi, Veseli, Krasniqi, Haradinaj nuk janë UÇK!

Një deklaratë e mëparshme e kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla është vënë tani në vëmendjen e shumë njerzëzve, të cilët e kanë kritikuar ashpër atë.

Deklarata e bërë në kundër Hashim thaçit e Kadri Veselit në vitin 2017 ku ajo thoshte se do të depononte dëshmi në Gjykatën Speciale kundër atyre që i quante “koka të krimit”, nuk është e vetmja e tillë.

Në dy raste gjatë vitit të kaluar, ajo e cilësonte shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin si kriminel.

 “Tradhtarë janë ata që i bënë vrasjet”, djali i aktivistit të vrarë të LDK-së i del në mbrojtje Gërvallës

“Figurë e diskredituar e botës së krimit” ishte epiteti që Gërvalla ia kishte dhënë Selimit qysh më 25 mars të vitit të kaluar, kur po rrëzohej Qeveria Kurti I. “Nëse mund t’ju besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”, shkruante fillimisht Gërvalla më 7 shkurt, katër ditë pas formimit të Qeverisë Kurti I.

“Sa gërditshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit”, shkruante një muaj më vonë.

Por nuk është vetëm kjo deklaratë e zonjës Gërvalla kundër krerëve të UÇK-së.

Ajo në vitin 2019 në një publikim në rrjetin social “Facebook”  kishte reaguar për deklaratën e Gani Kocit ndaj Jusuf Buxhovit, shkruan Ballkani.info.

Gërvalla në vitin 2019 thoshte se kur njerëz si Gani Koci, si reagim ndaj një deklarimi publik, fillojnë të sulmojnë dhe të etiketojnë njerëz si mbeturina, të cilat qenka dashur të pastrohen, nuk të mbetet tjetër përveç se të ulërish me të madhe nga neveria.

Gërvalla me tej theksonte se ka kërkuar me mirësjellje nga Gani Koci që të mos keqpërdorë emrin e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës për të bërë sensacione në Facebook dhe për të luftuar kundërshtarët e tij.

“Gani Koci dhe të gjithë ata që flasin në emër të luftëtarëve të UÇK-së sot e dinë mirë që asnjë prej këtyre luftëtarëve nuk ka shkuar në UÇK që Shtabit të Përgjithshëm dhe përfaqësuesve politik të UÇK-së t’iu servojnë koka shqiptarësh. Keqpërdorimi i ushtarit të virtytshëm, trim dhe të urtë, i cili kishte dalë të mbronte pragun e shtëpisë dhe të luftonte për lirinë e Kosovës duhet të marrë fund. As Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Jakup Krasniqi, as Ramush Haradinaj, as Azem Syla dhe plot të tjerë nuk janë UÇK, janë ajo pjesë e komandantëve për të cilët sot turpërohen ushtarët e mirëfilltë të UÇK-së”, shkruante ajo.

Ja shkrimi i Donika Gërvallës aso kohe:

Mbeturinat dhe Gani Koci

Kur njerëz si Gani Koci, si reagim ndaj një deklarimi publik, fillojnë të sulmojnë dhe të etiketojnë njerëz si mbeturina, të cilat qenka dashur të pastrohen, nuk të mbetet tjetër përveç se të ulërish me të madhe nga neveria. Të ndërgjegjshëm që fjala e tyre nuk vlen as deri tek qoshja e rrugës, njerëz si Gani Koci nuk kursejnë emra të respektuar nga qytetarët e Kosovës, për t’i bërë më të besueshme pallavrat e tyre.

Kërkova me mirësjellje nga Gani Koci që të mos keqpërdorë emrin e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës për të bërë sensacione në Facebook dhe për të luftuar kundërshtarët e tij. Aq më tepër kur deklarata të tilla bazohen vetëm në spekulime dhe në asnjë fakt objektiv. Përgjigje e tij ishte thjesht retorikë boshe. Qeveritë e ndryshme të Kosovës, pra as miqtë e Gani Kocit dhe as ata të LDK-së ose të partive të tjera, gjatë 20 viteve të fundit as edhe një fakt objektiv nuk kanë marrë mundimin të gjurmojnë rreth atentatit të 17 janarit 1982. Nuk ka pasur as përpjekjen më të vogël për hedhur dritë në këtë ngjarje. Po të doja edhe unë të spekuloja, do të thoja se kanë arsye t’i mbajnë gjërat të fshehura. Por unë nuk jam Gani Koci dhe nuk spekuloj e nuk luaj me dinjitetin e tjetërkujt.

Gani Koci dhe të gjithë ata që flasin në emër të luftëtarëve të UÇK-së sot e dinë mirë që asnjë prej këtyre luftëtarëve nuk ka shkuar në UÇK që Shtabit të Përgjithshëm dhe përfaqësuesve politik të UÇK-së t’iu servojnë koka shqiptarësh. Keqpërdorimi i ushtarit të virtytshëm, trim dhe të urtë, i cili kishte dalë të mbronte pragun e shtëpisë dhe të luftonte për lirinë e Kosovës duhet të marrë fund. As Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Jakup Krasniqi, as Ramush Haradinaj, as Azem Syla dhe plot të tjerë nuk janë UÇK, janë ajo pjesë e komandantëve për të cilët sot turpërohen ushtarët e mirëfilltë të UÇK-së.

Dhe në fund më lejoni të shtoj edhe këtë: A pajtohem unë gjithmonë dhe me gjithçka që thotë dhe bën apo ka bërë Jusuf Buxhovi? Jo!

Vlerësoj shumë prej qëndrimeve të tij dhe në të njëjtën kohë jam skeptike ndaj një pjese të shkrimeve të tij, dhe sidomos atyre që përshkruajnë një LDK të viteve ’90 si një LDK krejt tjetër nga ajo që e kam përjetuar vet nga shumë afër dhe nga brenda.