Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka folur për sulmin e Banjskës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Gërvalla përsëriti kërkesën e Kosovës për ekstradimin e Milan Radoiçiqit, udhëheqësit të grupit kriminal në Banjskë, përderisa shtoi se Vuçiqi po i mbron terroristët.

“Duhet të flasim edhe për luftën se si duhet të parandalojmë një luftë të ardhshme në Europë për të cilën disa thonë se Putini mund ta ketë Ballkanin shënjestrën e ardhshme. Dora e zgjatur e Putinit, Vuçiq vazhdon të mbrojë terroristët që udhëhoqën sulmin paramilitar të Serbisë kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar. Lideri i tyre Radoiçiq, një prej njerëzve më brutalë e më të pasur në Serbi, jo i pasur duke trashëguar pasuri nga prindërit e tij, por me anë të krimit është angazhuar në zhvatje dhe vrasje të qytetarëve serbë të Kosovës. Kosova kërkon ekstradimin e tij. Ai është përgjegjës për vrasjen e zyrtarit tonë policor”.

Gërvalla e cila përballë ka homologun nga Serbia, Marko Gjuriq, tha për këtë të fundit se ky ishte në krye të “Zyrës për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, në kohën kur Radoiçiqi u angazhua që ta vriste sipas saj “politikanin më të shquar serb, Oliver Ivanoviq”.

“Këtë Gjuriq e di mjaft mirë nga vitet e tij të shumta si dorë e djathtë e Vuçiqit në luftën kundër Kosovës gjatë viteve 2013-2020. Gjuriq dhe Radoiçiq ishin aleatë në shtypjen e qytetarëve serbë të ndershëm që donin vetëm jetë normale. Gjuriqi ishte në krye kur Radoiçiqi u angazhua në vrasjen e politikanit më të shquar serb, Oliver Ivanoviq”, deklaroi Gërvalla.