Presidenti i zgjedhur i Amerikës, Donald Trumo, po paralajmëron se Jack Smith, mund të kthehet në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Smith i cili ishte Kryeprokuror në Hagë, që ia ngriti aktakuzën krerëve të UÇK-së, edhe zyrtarisht ka pezulluar hetimet ndaj Donald Trump. Pozitë të cilën e mori, pasi u dorëhoq nga Haga.

E tash, Donald Trump po alarmon për rrezikun që mund ta ketë Jack Smith për njerëzit në Hagë, duke aluduar për krerët e UÇK-së.

“Në historinë e vendit tonë, asgjë si kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë. Dhe unë i fitova këto raste dhe të tjerat janë në proces për t’u fituar. I çmenduri Jack Smith është duke u kthyer në Hagë, ku mund të ekzekutojë njerëz. Ai është vendi ku ai është dashur të qëndronte. Mendoj se është i rrezikshëm edhe duke qenë atje.”, ka thënë Trump, raporton Nacionale.

Trump ka vazhduar duke thënë se në një mënyrë, Jack Smith, e kishte ndihmuar për t’u zgjedhur.

“Atë që ata ma kanë bërë mua në aspektin e shfrytëzimit të mjeteve si armë – aktakuza, hetime dhe gjithçka tjetër dhe në fund ndoshta kjo më ndihmoi, sepse unë mora më së shumti vota që ndonjë republikan ka marrë ndonjëherë në histori.”, tha Trump më tutje.

Donald Trump edhe më herët e kishte akuzuar rëndë Jack Smithin, njeriun që ia ngriti aktakuzën Thaçit e të tjerëve.

Trump e ka quajtur Smithin si të “sëmurë mendërisht”.

Tutje, Trump ka vlerësuar se nëse do të zgjidhej president, atëherë do ta shkarkonte brenda dy sekondave Smithin.

“Ne duhet të hedhim jashtë Jack Smithin me ta, njerëzit e çrregulluar mendërisht. Jack Smith duhet të konsiderohet i çrregulluar mendërisht dhe ai duhet të dëbohet nga vendi” – tha Trump gjatë një interviste me një radio konservatore.

Më 18 nëntor të vitit 2022, Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi një komunikatë për media. Aty kishin përcaktuar emrin e personit që do ta mbikëqyrte hetimin lidhur me mbajtjen e dokumenteve të kalsifikuara nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

E emri që do ta hetonte Trumpi, ishte personi që në atë kohë po hetonte udhëheqësit e luftës në Kosovë. Jack Smith, Kryeprokuror i Gjykatës Speciale me seli në Hagë.

Ai e la pozitën e Kryeprokurorit pak kohë para se të fillojë gjykimi të cilin Smith e cilësonte si rastin më të rëndësishëm. Ai i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

“Prokurori i posaçëm, Smith ka dhënë dorëheqjen si kryeprokuror i gjykatës speciale në Hagë, i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë” – thuhej në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Tashmë Jack Smith, raportohet ta ketë nisur edhe zyrtarisht punën e tij për të mbikëqyrur hetimet në rastin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Jack Smithit i ishte vazhduar mandati në maj të këtij viti, duke u bërë Kryeprokurori i parë që e merrte mandatin e dytë. Por që edhe ky, nuk arriti ta dërgojë deri në fund këtë mandat.

Pak ditë pas largimit të Smith nga pozita e Kryeprokurorit, në vendin e tij u emërua si ushtrues detyres Alex Whiting. Ky i fundit nuk dihet se deri kur do ta mbajë këtë pozitë, megjithatë ajo që dihet është se barrën kryesore të hetimeve do ta ketë pikërisht Whiting që deri më tash ishte shef i hetimeve.

Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së tashmë ka kaluar te trupi gjykues, dhe procesi pritet të fillojë më 1 mars 2023 me deklaratat hyrëse.

Kush ishte Jack Smith?

Smith më parë ishte zëvendëskryetar dhe shef i seksionit të padive në Korporatën Spitalore të SHBA-së, organizata më e madhe joqeveritare e shërbimit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara, post të cilin e mbante që prej shtatorit 2017.

Nga shkurti i vitit 2015 deri në gusht 2017 z. Smith ishte ndihmës prokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për rajonin e mesëm në shtetin Tenësi (Tennessee).

Gjatë periudhës 2010-2015, Smith ishte kreu i seksionit për integritet publik në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, ku ishte i ngarkuar me mbikëqyrjen e procedimit të çështjeve të ndërlikuara të korrupsionit publik në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Nga viti 2008 deri më 2010 z. Smith ishte koordinator i hetimeve në Zyrën e Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN). Në atë funksion ai mbikëqyri hetime delikate të zyrtarëve të qeverive dhe pjesëtarëve të forcave milicore të huaja për krime lufte, krime kundër njerëzimit, dhe gjenocid.

Përpara se të merrte detyrën në GJPN, Smith punoi në Zyrën e Prokurorit Federal për Rajonin Lindor të Nju Jorkut, ku gjatë nëntë viteve shërbeu në poste të ndryshme, si kreu i zyrës për paditë penale dhe zëvendësshef i Seksionit Penal. Si kreu i zyrës për padi penale, Smith kishte në vartësi rreth 100 prokurorë penalë në një sërë fushash, ndër të cilat korrupsioni publik, terrorizmi, krimet e dhunshme dhe bandat, mashtrimet financiare dhe krime të natyrës ekonomike.