Don Shan Zefi: Vatikani po vonon njohjen e pavarësisë, pasi e konsideron Kosovën vend mysliman

Vikari Gjeneral i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Don Shan Zefi, në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala ka folur për qëndrimin e Vatikanit në raport me njohjen e Kosovës.

Don Shan Zefi ka thënë se raportet e Vatikanit me Kosovën janë shumë të mira dhe sipas tij ka mbetur vetëm firma e njohjes për t’u vendosur

Ai thotë se vet vizita e Sekretarit të Vatikanit në Prizren për të inauguruar Kishën tregon se raportet janë shumë të mira.

Për mosnjohjen e deritanishme të Kosovës, zyrtari i Kishës Katolike të Kosovës thotë se ndikimi i Serbisë dhe Rusisë në proces e ka bërë të vetën.

Ai thotë se Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse janë në përpjekje mijëravjeçare për t’u bashkuar dhe sipas tij njohja e Kosovës nga Vatikani do të ishte një prishje e këtyre përpjekjeve.

“Këta mendojnë se nëse Vatikani përkrah një shtet mysliman [Kosovën] e refuzon një të krishterë ortodoks [Serbinë] do të ishte një absurditet. Ndryshe ishte situata me Kroacinë që ishte 80% katolike apo më shumë”.

Don Shan Zefi thotë se edhe besimi fetar i popullit të Kosovës sigurisht se ka pasur ndikimin e vet për mosnjohjen nga Vatikani.

Vikari Gjeneral i Dioqezës Prizren-Prishtinë thotë se kur ishte në krye të Vatikanit Papa Gjin Pali II situata do të ishte ndryshe pasi sipas tij ai kishte simpati të veçantë për Kosovën.

“Por edhe Papa Françesku shihet se ka një simpati për shqiptarët”, tha ndër të tjera Don Shan Zefi.