Kisha Katolike

Don Lush Gjergji për Ballkani.info: A bëri thirrje në emër të Skënderbeut për t’u konvertuar të gjithë në krishterë?!

Në një intervistë me Ballkani.info Don Lush Gjergji ka sqaruar rreth keqkuptimit që i ishte bërë letrës së tij, të cilën e kishte lexuar ditë më parë në njërën nga aktivitetet për shënimin e Vitit të Skënderbeut, ku një pjesë e opinionit, më saktë ata të cilit i takojnë besimit islam letrën e Don Lush Gjergjit e kanë konsideruar si thirrje në emër të Skënderbeut për t’u konvertuar të gjithë në të krishter, raporton Ballkani.info.

Don Lush Gjergji, tutje ka folur mbi radikalizmin dhe ekstremizmin si dukuri të shprehura tanimë në Kosovë. Gjergji, gjithashtu ka vlerësuar kontributin e Kishës Katolike në raport me proceset e rëndësishme nëpër cilat ka kaluar populli i Kosovës, me theks të veçantë ka përmenduar bashkëpunimin me Vatikanin.
Ndërsa, në lidhje me zhvillimet e fundit politike rreth korrigjimit të kufijve, Don Lush Gjergji shprehet hermetik.
Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë me njërin nga drejtuesit e Kishës Katolike të Kosovës, Don Lush Gjergji:

Ballkani.info: “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu pati forcën, vizionin, guximin, trimërinë t’i kthehet vetvetes, rrënjëve ilire dhe arbërore, fesë së krishterë dhe të vërtetës historike. Kthimi te burimi është porosi dhe testament shpirtëror i tij edhe sot për ne, kaq të ndarë dhe të përçarë, të shkapërderdhur anekënd, pa ndonjë identitet dhe personalitet bazik, pa vetëdije dhe përcaktim në këto tri pika: kush jemi, çka duam dhe si duam të realizojmë atë çka vërtetë duam.” – a mund të konsiderohet kjo pjesë si thirrje në emër të Skendërbeut për t’u konvertuar të gjithë në të krishter, meqenëse një pjesë e opinionit, më saktë ata të cilit i takojnë besimit islam e kanë marrë në këtë formë.

Don Lush Gjergji: Ftesa apo thirrja ime e kahmotshme ka qenë dhe mbetet kjo: T’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës, që domethënë mos ta harrojmë, edhe më pak ta përbuzim historinë, traditën, kulturën, qytetërimin, pse jo edhe “fenë tonë të vjetër”, siç shprehen shumë shqiptarë, në shtresimet tona, ilire, arbërore dhe shqiptare. Kjo në asnjë mënyrë nuk e cenon lirinë dhe përcaktimin e askujt në çdo aspekt, politik, kulturor, shpirtëror, fetar, pasi që Zoti na ka krijuar dhe na do si të lirë, me këtë kuptohet, edhe të mirë. Unë kam theksuar qëndrimin, kthimin dhe veprimin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, si rast, mundësi, shembull, paradigmë, për kthimin tonë kah burimi apo burimet, që mos të tjetërsohemi, asgjësohemi, shkrihemi në dikë apo diçka tjetër, mos t’i imtojmë modelet e të huajve, që përpos asaj që nuk janë tona, mund të jenë edhe të dëmshme për ne dhe për gjendjen aktuale, për synimet tona të përbashkëta dhe vëllazërore euro-atlantike. Qëndrimi im në këtë aspket është më se i qartë, kur kam folur dhe shkruar për vëllazërinë tonë të dyfishtë, si shqiptarë, ana kombëtare, dhe si fetarë, monoteistë, të krishterë apo myslimanë, ana fetare, pa të cilat nuk kemi jetë, vëllazërim, bashkëpunim, deri te bashkëjetesa.

Ballkani.info: A mendoni që ka radikalizëm dhe ekstremizëm në Kosovë?

Don Lush Gjergji: Ka disa shenjta të jashtme, si veshëmbathja, sjellja, qëndrimet, që tregojnë për disa ndryshime të traditës dhe kulturës tonë të përbashkët edhe në aspektin fetar. Unë, si prift i Kishës Katolike, dhe si intelektual, nuk jam kompetent që të mirrem me këto çështje. Tematika e tillë i përket më shumë Bashkësisë Islame të Kosovës, si botëkuptimit dhe opinionit tonë të mirëfilltë publik, jo për t’i fajësuar, apo për t’u shfajësuar ne, por nëse ka të tillë, për t’i rekuperuar dhe ndihmuar vëllazërit apo motrat tona, që janë nën ndikime të të huajve dhe negative. Kam thënë dhe përsëris: ne nuk kemi asnjë vëlla apo motër tepricë, për t’i lënë apo për të hequr dorë prej tyre, edhe më pak për t’i anatemuar, por me fuqinë e së Vërtetës, mbi të gjitha me frymëzimin e Dashurisë, për t’i vetëdijësuar dhe ndihmuar.

Ballkani.info: Tanimë ekziston një urë komunikimi në mes Vatikanit dhe Kishës Katolike të Kosovës. Sa po kontribuon kjo e fundit që Vatikani të njeh Kosovën shtet, përderisa Kisha ortodokse serbe po bën fushatë kundër njohjes së Kosovës, në Vatikan?

Don Lush Gjergji: Kisha Katolike e Kosovës gjithnjë, vazhdimisht ka kontaktuar me Vatikanin në çdo përiudhë. T’i kujtojmë dy ipeshkvinjt e ndjerë, Imzot Nikë Prelën dhe Imzot Mark Sopin, si dhe ipeshkvin aktual, Imzot Dodë Gjergjin. Imzot Nikë Prela për çdo padrejtësi, dhunë, vrasje, helmine, p. sh. helmimet, greva e minatorëve të Trepçës e shumë raste tjera, e ka informuar Papën e atëhershëm Gjon Pali II, Nënën Terezë, opinionin jugosllav dhe botëror, me guxim dhe vizion të qartë, duke rrezikaur çdo gjë jo vetëm personale por edhe si Kishë Katolike e Kosovës… Papa Gjon Pali II, tash Shën Gjon Pali II, nëpërmjet kanaleve diplomatike, Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, Nunciaturave Apostolike, ka internacionalizuar çështjen e Kosovës në veçanti, atë shqiptare, në përgjithësi. Është botimi i veçantë shqip dhe anglisht, që dëshmon konkretisht këtë, kuptohet, për ata që e pranojnë të vërtetën dhe nuk kanë “kujtesë të shkurtë”. Po ashtu edhe Imzot Mark Sopi, para, gjatë dhe pas Luftës, ishte “apostulli” i çështjes kombëtare, kosovare. Në këtë drejtim vazhdon edhe ipeshkvi ynë aktual, Imzot Dodë Gjergji. Selia e Shenjtë gjithmonë e ka njohur Kishën Katolike në Kosovë, si Administraturë Apostolike, pasi që ishim në administrim të OKB-së, ndërsa prej 5 shtatorit 2018, edhe si ipeshkvi Prizren – Prishtinë, për të çmuar lashtësinë, autoktoninë, historinë dhe aktualitetin. Në këtë drejtim ne do të vazhdojmë dhe dë të bëjmë detyrën tonë me përgjegjësi dhe përkushtim. Çështja e njohjes së Kosovës nga Vatikani është më tepër punë dhe detyrë e Shtetit të Kosovës me Shtetin e Vatikanit. Ne, gjithësesi, jemi urë, apo “unazë” në këtë hark…

Ballkani.info: Si e komentoni përzgjedhjen e 20 imamëve nga BIK-u, për t’iu ligjëruar të burgosurve, me qëllim të rehabilitimit?

Don Lush Gjergji: Nuk kam koment. Besoj, shpresoj dhe uroj që BIK-u e di fare mirë misionin, detyrën dhe punën, përgjegjësinë që ka, para Zotit dhe Popullit tonë, pastaj kuptohet, edhe para opinionit ndërkombëtar.

Ballkani.info: Cili është qëndrimi i Kishës Katolike karshi zhvillimeve politike, duke i përfshi edhe deklarimet e Presidentit Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve?

Don Lush Gjergji: Kisha Katolike e Kosovës nuk ka ndonjë qëndrim rreth kësaj çështje, sepse nuk na përket neve të merremi me këtë si veprim dhe trajtim kryekëput politikë. Unë, për hir të të mirës së përbashkët, si dhe qetësimit të ndërgjegjjeve dhe shpirtërave të trazuar, kam dhënë mendimin dhe vlerësimin tim personal, për të qenë në shërbim të të mirës së përbashkët për të gjithë qytetarët tanë në Kosovë, por edhe në diasporë nëpër botë. Le të vlerësohet prej Zotit dhe Popullit./Ballkani.info/

Intervistoi: Mihane Hoxha