Kisha Katolike

Don Lush Gjergji: Kufijtë e shteteve moderne s’janë më shkas luftimi

Media kosovare javë më parë kishin raportuar se njëri nga Drejtuesit e Kishës Katolike në Republikën e Kosovës, Don Lush Gjergji ka dalë hapur kundër idesë për lëvizje të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u propozua nga presidenti Hashim Thaçi si zgjidhje përfundimtare ndërmjet dy vendeve.

Mirëpo në një prononcim për Ballkani.info Don Lush Gjergji ka thënë që me apo pa dashje është keq-interpretuar intervista e tij dhënë mediumit italian ‘Agensir.it’.

Ai është cituar të ketë thënë që kufijtë e shteteve moderne nuk janë më shkas keqkuptimi edhe luftimi, por shkas dhe mundësi për bashkëpunim me shtetet fqinj.
“Çështjet e shteteve të sapo krijuara siç është Kosova, janë delikate dhe nuk guxojnë të rrëshqasin në drejtime ose orientime që nuk kanë dalje. Kosova si shtet i ri, i lirë dhe i pavarur duhet me çdo kusht të ju shmanget dy rreziqeve të kërkimit të një shteti nacional me karakteristika feudale”, thotë ai për Ballkani.info.

Sipas tij, askund në botë nuk ka më shtete thjeshtë nacionale, por ato përbëhen edhe prej pakicave tjera.

“Prandaj, theksohet se në forminin e shtetit modern është qytetari si individ, si familje dhe si shoqëri, dhe nuk ka më shtete feudale si dikur kur diktatoret e kishin nën-sundim popullin dhe hapësirat apo trojet. Dinamika e shteteve të sotme i ka tejkaluar këto dy kufizime, prandaj as Kosova nuk duhet të mbështetet më në shtetin nacional vetëm dhe në shtetin feudal apo në tokë, sepse kufijtë e shteteve moderne nuk janë më shkas keqkuptimi edhe luftimi, por shkas dhe mundësi për bashkëpunim me shtetet fqinj dhe kultura nacionale nuk është e vetmja kulturë por ajo begatohet dhe pasurohet edhe me kulturat e popujve apo pakicave tjera”, ka thënë në fund, Don Lush Gjergji./Ballkani.info/