DOKUMNET/Vendimi i MSH-së që hyn sot në fuqi për masat lehtësuese për tërë territorin e Kosovës

Të hënën, përmes një konference për media, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se me datë 28 maj, do të nisin edhe masat lehtësuese në kuadër të Fazës së Dytë, për luftën ndaj pandemisë COVID-19.

Ai në këtë konferencë bëri të ditur se do të rritet lëvizja e lirë e qytetarëve në 16 orë, derisa do të hapen edhe institucionet fetare.

IndekSonline posedon këtë vendim të MSH-së, i njëjti është nxjerrë dje 27.05.2020, ndërsa do të hy në fuqi që nga sot dhe vlen për tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas këtij vendimi prej datës 28.05.2020 nga ora 21:00 e mbrëmjes deri në 05:00 të mëngjesit ndalohet qarkullimi i personave fizik jashtë shtëpive/banesave të tyre përveç rasteve në vijim:

Në raste urgjente të shëndetësisë, lejohet dalja nga shtëpia për të kërkuar trajtim mjekësor në një institucion mjekësor.

Lejohet qarkullimi për personat fizik në raste ku dalja nga shtëpia/banesa është e domosdoshme për t’u kujdesur për një ose më shumë të sëmurë ose për një ose më shumë persona me aftësi të kufizuara, vetëm nëse të sëmurit apo personat me aftësi të kufizuara nuk mund të përkujdesën për vetveten.
Ndalimi i qarkullimit të personave fizikë jashtë shtëpisë/banesës nuk zbatohet në raste të viktimave të dhunës familjareve. Viktimave të dhunës familjare u lejohet të dalin jashtë shtëpive/banesave për të kërkuar strehim në ndonjë lokacion alternativ.
Në raste të vdekjes, lejohet dalja nga shtëpia/banesa për të marrë pjesë në varrim, por vetëm për familjarët e ngushtë të të ndjerit.
Lejohet dalja nga shtëpia/banesa me kafshët shtëpiake, jashtë orarit të lejuar të daljes, për nevojat fiziologjike të këtyre kafshëve, por jo më larg se 500 metra nga banesa.
Por, edhe gjatë qarkullimit të lëvizjes personat fizikë obligohen:

Të mbajnë të mbuluara vetëm gojën dhe hundën, përmes maskës, shallit apo ndonjë maske tjetër.
Në çdo kohë të ruajnë distancën prej 2 metrash
Në fund të këtij vendimi MSH thotë se i njëjti do të rishqyrtohet me konsultim me IKSHPK-në dhe ekspertë të tjerë.

Kujtojmë që Faza e Tretë, do të nis më 1 Qershor, derisa përfshin masa të tjera lehtësuese drejt normalitet, rihapja e plotë e gastronomisë, por me rregulla, gjithashtu hapja e kufijve tokësor e ajror, e të tjera.