Dokumenti për ndryshim të kufijve në Ballkan, reagon SHBA-ja

Mediumi slloven “Necenzurirano” ka publikuar përmbajtjen e dokumentit jozyrtar diplomatik “non paper” i cili pretendohet se është dërguar nga Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha në Bruksel, në të cilin ai paraqiti ide për ndarjen e Bosnje dhe Hercegovinës, aneksimin e Republikës Srpska dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ky dokument ngriti të gjithë rajonin në këmbë, pasi parashikon rishikimin e kufijve të gjashtë vendeve të Ballkanit, ndarjen e Bosnjës dhe krijimin e një “Shqipërie të Madhe” dhe po ashtu një “Serbie të Madhe”.

Në Bosnjë dyshojnë se Sllovenia qëndron pas kësaj “patateje të nxehtë”, derisa në Lubjanë pretendojnë se ata nuk janë adresa e duhur për këto pretendime, ndërkohë që kroatët spekulojnë se Serbia dhe Hungaria qëndrojnë pas gjithçkaje.

Dokumenti jozyrtar shkaktoi një krizë serioze të brendshme në Slloveni. Opozita ftoi Kryeministrin Jansa në një takim dhe Ministria e Punëve të Jashtme konfirmoi se ata as nuk hartuan dhe as nuk dërguan ndonjë dokument në Bruksel.

Ndërkohë, lidhur me tërë këtë zhurmë është deklaruar edhe SHBA-ja.

Ambasada e SHBA-së në Slloveni duke u deklaruar rreth këtij dokumenti ka thënë se  Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë partneritetin afatgjatë me Bosnjë e Hercegovinën dhe se e mbështesin sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, i cili është i pranuar në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj qëllimit të përbashkët të një Bosnje dhe Hercegovinës demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të prosperuar në rrugën drejt integrimit Euro-Atlantik”. thuhet në përgjigjen e Ambasadës për 24our.

Në përgjigje, ata gjithashtu theksuan se Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e fortë e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që kërkojnë anëtarësim në organizatat Euro-Atlantike.

Ne jemi të bindur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në BE. “Procesi i zgjerimit promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë në të gjithë rajonin”, thuhet në përgjigjen e tyre.