DOKUMENTE| Rozeta Hajdari e bënë ministrinë si “kolegj”, me para të shtetit shkollohen të favorizuarit e saj

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke u shndërruar në “kolegj”, ku me buxhet të shtetit po shkollohen zyrtarët e favorizuar nga ministrja Rozeta Hajdari.

Për ish-sekretarin Irfan Lipovica, fillimisht kjo ministri kishte paguar hiç më pak se 12 mijë euro. Ndërsa, pak më vonë, dorëlirë u tregua edhe për Zef Dedajn, ku për një kurs 3-javor të tij pagoi 6 mijë e 427 euro ose mbi 300 euro në ditë, raporton Demokracia.com.

Dedaj ishte pjesë e grupit të këshilltarëve të Kurtit e Bislimit për ta ndjekur kursin online 3-javor në “Harvard Kennedy School”. Megjithatë, për dallim prej të tjerëve, ai pagoi dyfish më shtrenjtë. Sipas e-mailit të Luan Dalipit dhe sipas faturës së paguar, çmimi ishte 3,213 euro ose 3,800 dollarë për person, por Dedaj kishte bërë pagesë në vlerë prej 6,427 euro, saktësisht sa për dy persona, duke mos e qartësuar nëse ky institucion kishte paguar edhe për dikë tjetër, siç mund të ishte vendosur si mënyrë e pagesës.

“Çmimi është 3,800 dollar ose 3,213 euro për person, ose 38,556 euro për 12 pjesëmarrësit. Pasi eventualisht të vlerësojmë se kemi kandidatë të denjë për këtë program dhe përfundimisht ia vlenë t’iu bashkangjitemi këtij programi – do ta vendosim edhe mënyrën e pagesës”, kishte shkruar Dalipi në e-mailin e tij, raporton Demokracia.com.

Në shtator të vitit 2021, Zef Dedaj që atëherë mbante postin e zëvendësuesit të Drejtorit të Departamentit të Tregtisë, i kishte kryer të gjitha procedurat për trajnimin 3-javor në “President and Follows of Harvard College” brenda një dite të vetme.

Zotimin e mjeteve dhe kërkesën për realizimin e pagesës, Dedaj e kishte bërë brenda të njëjtës datë, pa nënshkrim të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe apo kontratë.

Ai e kishte bërë vetë kërkesën për zotim të mjeteve, ku vetë ishte përfitues dhe, po ashtu, vetë e kishte bërë kërkesën edhe për procedim të pagesës. Praktikë kjo e paparë deri më tani në financat publike.

Kjo është procedura e rregullt për pagesa:

Ndërsa, çuditërisht, lart në faturën që “Harvard Kennedy School” e kishte lëshuar për Qeverinë e Kosovës figuron edhe emri i Faton Limanit, i cili në përshkrimin e shefit të stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, përshkruhet vetëm si përkrahës dhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje në Boston të SHBA-së, që e ka të përfunduar aty Masterin.

E përkundër që në faturën nr. 2848 të “Harvard Kennedy School” tek emri i Zef Dedaj figuron obligimi prej 3,800 dollarë, duke iu referuar të njëjtës faturë ishte paguar dyfish më shumë në euro, saktësisht 6,427.74 euro, raporton Demokracia.com.

Demokracia.com i posedon të gjitha dokumentet zyrtare, ku më 15 shtator 2021 shihet se Dedaj kishte bërë kërkesën për zotimin e mjeteve në Zyrën e Financave dhe në të njëjtën datë kishte kërkuar të procedoheshin edhe për pagesë, pa ndonjë raport se kontrata ishte përmbushur, siç parashihet me Ligjin për Financat Publike.

Demokracia.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, por deri tani ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Po ashtu, Demokracia.com ka provuar të kontaktojë edhe me Dedajn lidhur më këtë çështje, por ai ka zgjedhur të hesht duke u arsyetuar se ndodhet jashtë Kosovës.

“Jam jashtë Kosovës”, ka thënë Dedaj për Demokracia.com.

Nismëtar për ndjekjen e këtij kursi 3-javor me para të shtetit në “Harvard Kennedy School” ishte shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, që gjithashtu ishte përfitues, përkundër që stafit politik nuk i lejohet të “shkollohet” me buxhetin e shtetit, pasi që nuk përfiton institucioni në këto raste, sepse konsiderohen të përkohshëm, që i shërbejnë vetëm titullarit të institucionit me mandat të caktuar.

Ndërsa, i favorizuari i ministres Rozeta Hajdari, Zef Dedaj, i cili është emëruar në kundërshtim me ligjin edhe si zëvendësues i Kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Huaja KIESA është pjesë e shërbimit civil.

Në mënyrë të kundërligjshme, Hajdari nga Departamenti i Tregtisë e kishte emëruar Dedajn si zëvendësues të Kryeshefit në KIESA.

Me paratë e taksapaguesve kosovarë, sipas faturës së siguruar nga Demokracia.com, këtë kurs e kishin ndjekur Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit Kurti, Fëllanza Podrimja, këshilltare e kryeministrit Kurti, Kaltrina Zeka, shefe e kabinetit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Po ashtu, pjesë e trajnimit ishin edhe Zef Dedaj nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë dhe tri zyrtare të tjera, përkatësisht Blerta Greiçevci, Bulinë Gashi dhe Edona Mekuli./Demokracia.com/