Dokumentar
Dokumentar për historinë e albanologut suedez që ia kushtoi tërë jetën shqipes
Filmi dokumentar suedez “Ullmar Qvick albanologu suedez”, me regjisor dhe producent Vranin Gecaj me prejardhje nga Peja e Kosovës, është film i pavarur dhe unik që tregon jetën dhe karrierën e Ullmarit dhe lidhjet e tij të ngushta me gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Ullmari Qvick është një shkrimtar suedez qe e zotëron gjuhën shqipe (në disa aspekte) edhe më mirë se shumë shqiptarë.
Ullmari është një mik i madh dhe i sinqertë i shqiptarëve, me një shqipe në të folur e të shkruar per lakmi.
Ky është një studiues dhe përkthyes i zellshëm, redaktuesi i fjalorit të parë suedisht-shqip. Marrëdhëniet e tij me Shqipërinë dhe Kosovën i sheh gjithnjë me shumë dashuri.
Në intervistën e mëposhtme ai ka folur për filmin dokumentar dhe shumë çështje tjera që e lidhnin Ullmar Qvick me gjuhën shqipe.
Vranin, si lindi kjo ide?
Isha duke biseduar në teatrin e qytetit te Goteborgut ne Suedi me mikun tim aktorin e mirënjohur dhe bashkëpunëtori im filmik Viktor Gadderus lidhur me kontributin e miqve te huaj qe kanë kontribuar aq shumë në kauzën shqiptare në botë sikur Robert Elsie, Josef Dio Gard, Eliot Engel. Ullmar Qvicku etj etj. Roli i tyre është shumë i rëndësishëm në shpërndarjen e kulturës shqipatare në botë
Shumë shpejt ramë dakord që të bëja për herë të parë në histori një film dokumentar për veprimtarinë e gjatë dhe të bujshme të Ullmar Qvickut dhe kontributin e tij për çështjen shqiptare gjatë këtyre 60 viteve te fundit.
Ramë dakord me mikun tonë Tiron Papranikun nga shoqata ”Mbretëresha Teuta” në Goteborg të Suedisë i cili kishte kontakt me Ullmarin më herët për ta bërë nje intervistë me të dhe bashkë me anëtaret e tjerë te shoqatës shkuam për ta takuar Ullmarin.
Kjo është histori e rrallë e një burri suedez, një burrë suedez që ndiqte radiot shqiptare që në kohën e regjimit komunist, kjo është historia e Ullmar Qvick, i cili mes tjerash flet edhe për kontaktet e tij me Shqipërinë dhe Kosovën qe prej 55 vjetësh.
Filmi dokumentar është produksion suedez, i gjatë 33 min, i titruar në gjuhen suedeze pasi që Ullmari ne film flet në gjuhën shqipe.
Desha fare në fund të i falënderoje te gjithë qe kontribuuan vullnetarisht në realizimin e këtij filmi dokumentar aq te rëndësishëm për shqiptaret dhe për gjeneratat e reja qe mos ta harrojnë kontributin e këtij njeriu te madh për çështjen shqiptare.
Vranin si zakonisht ju filmat i publikoni në platformën publike Youtube!
Po është shume e saktë kjo, filmat e mi dokumentar janë produksione të pavarura dhe kanë vetëm një qëllim, pra që të publikohen në kanale publike ku e gjithë bota munde t’i shohë dhe nuk varet nga transmetimet e kanaleve TV të cilat tashmë e kanë humbur efektin e tyre informues te pavarur. Pra, ky film mund të shihet nga te gjithë ata që e kuptojnë shqipen dhe suedishten dhe ky film për herë të parë e dokumenton historikisht njëherë e përgjithmonë veprimtarinë e mikut të madh të shqiptarëve Ullmar Qvick.