DOKUMENT | Të mirat e pushtetit, avancohet sërish në Postën e Kosovës kunati i Albulena Haxhiut

Familjarët e pushtetarëve të Vetëvendosjes kanë nisur t’i gëzojnë benifitet që ua mundëson pushteti. 

Shkumbin Krasniqi, kunati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu brenda pak muajve është avancuar për herën e dytë në Postën e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Kunati i ministres në qershorin e vitit të kaluar ishte avancuar nga pozita e postierit në pozitën zyrtar për kujdesin ndaj konsumatorëve (KnK).  E në muajin tetor të vitit 2021 ai ishte ngritur sërish në pozitë në kontrollor.

Demokracia.com ka siguruar vendimin e avancimit të kunatit të ministres Haxhiu, Shkumbinit.

Në vendim thuhet se punëtori Shkumbin Krasniqi i sistemuar në punë dhe detyrat e punës në PK SH.A, zyrtar i KnK-së, risistemohet në punë dhe detyrat e punës, Kontrollor i ZP Malishevë.

“Risistemimi i punëtorit Shkumbin Krasniqi në punë dhe detyrat e punës, Kontrollor i ZP Malishevë, bëhet prej datës 20.10 deri më 20.04. 2022. Pas kësaj periudhe, konform performancës pozitive të punëtores, të njëjtit do t’i procedohet kontrata e re, në të kundërtën, të përmendurit i mbetet në fuqi kontrata e punës ekzistuese 01-1442/21 (D.P 11.06.2021)”, thuhet në vendim.

Duket se vendimi madje është marrë në shpejtësi pasi që në vendim i referohen në gjininë femërore.

Po ashtu në vendim thuhet se atij i caktohet baza e të ardhurave personale mujore në lartësi të gradës 6 gjashtë.

“Vendimi është i formës përfundimtare dhe hyn në fuqi menjëherë.  Këtë vendim do ta zbatojë Departamenti Qendror i Financave dhe Departamenti I Resurseve Njerëzore në PK”, thuhet në vendim.

Kujtojmë që në muajin qershor të vitit të kaluar, Shkumbin Krasniqi, nga data 11 qershor pati marrë detyrën e re në Postën e Kosovës.

Ai ishte avancuar nga pozita e postierit në pozitën zyrtar për kujdesin ndaj konsumatorëve. Ky avancim ka bërë që Krasniqi të ketë rritje të konsiderueshme të pagës.

Derisa në pozitën e postierit Krasniqi kishte gradën 3 dhe një pagë prej 435 euro, në pozitën e re ai ka gradën 7 dhe do të ketë një pagë prej 835 euro.

Shkëmbim Krasniqi është vëllai i Alban Krasniqit, asamblist në Komunën e Malishevës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Alban Krasniqi është bashkëshorti i Albulena Haxhiut, ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit.