15 mijë euro do të shpenzohen nga buxheti i shtetit për bileta udhëtimi jashtë vendit për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë. Për këtë, kjo ministri tashmë ka dhënë edhe një tender.
Ministria e udhëhequr nga Arben Vitia, ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë për “shërbime të transportit ajror”, shkruan Ballkani.info.
Siç bëhet e ditur në dosjen e tenderit të publikuar në KRPP, gjatë periudhës një vjeçare numri i përafërt i biletave do të jetë 30 në destinacione të ndryshme të botës.

Blerja e këtyre biletave do të bëhet për stafin e MSH-së të cilët do të bëjnë udhëtime zyrtare në vende të ndryshme të botës. Derisa, në njoftim nuk janë bërë të ditura relacionet e këtyre udhëtimeve.
Ashtu si edhe ministrit e tjera të Qeverisë Kurti, edhe këtë tender e ka fituar kompania turistike “As Travel Club” me seli në Prishtinë.
Kjo kompani do të përfitojë plotë 15 mijë euro për shërbimin e biletave të transportit ajror.
Edhe për këtë tender ka ofertuar vetëm kjo kompani.
Ndërsa, në fund janë bërë të ditura edhe kriteret për kompaninë fituese.
“Ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje për të garantuar shërbime 365 ditë në vit, 7 ditë në javë dhe 24 orë në ditë dhe duke ofruar emrat e personave të kontaktit, e-mailat dhe numrin e telefonit kjo do të jetë si kusht pas nënshkrimit të kontratës (kjo është një kërkesë e detyrueshme)”, thuhet në dosjen e tenderi. /Ballkani.info/







