Policisë së Kosovës

DOKUMENT| Policët mbesin pa pizhame, çorapë e kapele, dështon tenderi milionësh

Policisë së Kosovës i ka dështuar tenderi për blerjen e veshmbathjeve. Përmes këtij tenderi ishin paraparë të blihen veshje dimërore, si pizhame, çorapë, kapele dhe shalla. Por, tashmë ky proces është kthyer në pikën zero.

Ditët e ftohta të vjeshtës, por me gjasë edhe të dimrit, policët e Kosovës do t’i kalojnë më shumë vështirësi.

Rrobat e parapara që t’i veshin për këto ditë nuk do të arrijnë tek ata, shkruan Demokracia.com.

Tenderi që ishte shpallur për blerjen e veshjeve dimërore, si pizhame, çorapë, kapele dhe shalla, është kthyer në pikën zero.

Sipas njoftimit të bërë nga Policia, për këtë tender nuk ka pasur kompani të përgjegjshme dhe janë detyruar ta anulojnë krejt procesin.

“Një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit. Policia e Kosovës e anulon këtë tender në mungesë të ofertave të përgjegjshme”, thuhet në njoftimin e shpallur në e-prokurim, përcjell Demokracia.com.

Policia kishte paraparë që përmes këtij tenderi të blejë rroba të ngrohta për disa arsye të ndryshme.

“Bazuar në furnizimet dhe nevojat operative, NJSI ka nevojë për veshje të brendshme termale që do i mundësonin operatorit te NJSI qëndrim me te gjatë ne terren gjatë stinëve te ftohta, ruan shëndetin e operatorit, por edhe plotëson kushte baze për suksesin e misionit operacioneve te NJSI. Për te arritur qëllimin e furnizimit te nevojshme me veshje termale për NJSI, kërkohen qe një set për operator te përmbaj këto artikuj. 1.Kapela dimërore  2.Shalli cilindrik multifunksional  3.Pizhamet streq elastike  4.Çorapet dimërore. Andaj ne si njësi kërkuese kërkojmë që ky projekt te shkoje me procedure te përshpejtuar pasi qe kemi nevoje emergjente për këto veshmbathje”.

Po ashtu është treguar se çorapët dimërore duhet të jenë të punuara për misione të gjata në kushte mesatare dhe të rënda klimatike.

“Gjatësia e çorapëve duhet të jetë sa gjatësia e çizmeve 8inch apo me larte. Çorapet duhet të jenë të përbëra një strukturë shtresore – Shtresa të ndryshme që transferojnë lagështinë dhe i mbajnë këmbët të ngrohta dhe garanton frymëmarrje të shkëlqyer dhe kontroll të lagështisë”. /Demokracia.com/