Hekran Murati

DOKUMENT| Murati: Qeveria s’ka përjashtuar ndonjë kategori nga subvencionimi i energjisë elektrike

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka përjashtuar ndonjë kategori nga subvencionimi i energjisë elektrike.

Sipas tij, programi i ri është në fazën e pilotimit, dhe është paraparë edhe një fazë/grup aplikimesh ku pritet të trajtohen sfidat që janë hasur gjatë fazës/grupit të parë.

“Përkundrazi, me programin e ri synimi është që të zgjerohet lista e familjeve që mbështeten, si dhe subvencionimi të jetë në bazë të të ardhurave, pra sa më pak të ardhura, aq më i lartë subvencionimi. Programi i ri është në fazën e pilotimit, dhe kemi paraparë edhe një fazë/grup aplikimesh ku pritet të trajtohen sfidat që kemi hasur gjatë fazës/grupit të parë”, ka thënë Murati.

Murati mohon se invalidët e luftës përjashtohen me automatizëm me pretendimin se pensioni i tyre është së paku 225 euro, dhe kësisoj e tejkalojnë nivelin e përcaktuar prej 150 euro për kualifikim.

“Së pari, siç edhe mund të shihet në vendim (foto 2), të ardhurat nga pensionet invalidore janë të përjashtuara nga llogaritja, dhe rrjedhimisht nuk përjashtohet askush për shkak se merr pension invalidor”, thotë Murati.