Dokument: Ministrit Liburn Aliu i vidhet vetura zyrtare, hajni kapet në kufirin me Shqipërinë

Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut, mbrëmë i është vjedhur vetura zyrtare, Audi A3.

Demokracia.com ka mësuar ekskluzivisht se Aliu sot është intervistuar në mëngjes nga Policia e Kosovës, pas insistimeve që ai të jep deklaratë, pasi që ishte munduar fillimisht që si çështje t’ia linte tërësisht logjistikës që ta menaxhonte.

Sot rreth orës 08:50 në Stacionin Policor ishte paraqitur vetë shoferi i ministrit Liburn Aliu, P. Th., i cili kishte deklaruar se mbrëmë rreth orës 22:30-22:45, ministri Liburn Aliu kishte parkuar veturën e tij zyrtare Audi A3, ngjyrë e zezë me targa zyrtare 3Z-184-13, në parkingun e kësaj ministrie. Ndërsa, në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 04:30 ishte telefonuar përgjegjësi për veturat e kësaj ministrie, B. C. nga ana e Policisë së Kosovës, pasi që në Pikën Kufitare “Qafë e Morinës” ishte ndalur vetura zyrtare e ministrit Liburn Aliu nga ana e zyrtarëve policor, pas dyshimeve në vozitësin e veturës.

Demokracia.com ka arritur të sigurojë edhe raportin ku konfirmohet edhe zyrtarisht e gjithë kjo ngjarje.

Së shpejti, Demokracia.com sjell edhe detaje të reja rreth personit që po e voziste veturën e ministrit Liburn Aliu dhe gjësendet që u gjetën në veturën zyrtare.