DOKUMENT| Ministria e Xhelal Sveçlës pagoi 97 mijë euro për 20 serbë, pa shkuar fare në punë

Gjatë vitit të kaluar, ministria që drejtohet nga Xhelal Sveçla ka shpenzuar 97 mijë euro për 20 serbë, që nuk kanë shkuar fare në punë. Ata figurojnë si të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe janë ish-pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur “Mbrojtja civile”.

Ministria e Punëve të Brendshme që drejtohet nga Xhelal Sveçla, gjatë vitit të kaluar i ka paguar 20 serbë pa shkuar fare në punë.

Buxheti i shtetit i shpenzuar për ta është fiks 97 mijë euro, raporton Demokracia.com.

“Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të  punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 97,099€”, thuhet në raportin e auditorit për MPB-në.

Siç është bërë me dije, mbajtja e tyre në punë ka qenë obligative bazuar në një vendim të marrë nga Qeveria gjatë vitit 2015, por obligative ka qenë edhe krijimi i kushteve të punës për ta.

“Bazuar në vendimin e Qeverisë Nr.06/39 i dt. 22.07.2015, ish MAP ka qenë e obliguar t’i sistemojë 20 punëtorë të komunitetit serb, pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘Mbrojtja civile’”.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka theksuar se gjatë orarit të punës të gjithë zyrtarët publikë janë të obliguar të jenë në vendin e punës.

“Neni 8 i Rregullores (QRK) Nr.12/2020 për Orarin e Punës dhe Pushimet e  Zyrtarëve përcakton se gjatë orarit të punës të gjithë zyrtarët publikë janë të obliguar të jenë në vendin e punës. Çdo zyrtar publik shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik”.

Sipas këtij raporti, dukuria me këso raste është prezent që disa vite në institucionet e Kosovës.

“… kjo dukuri po vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi po raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve”.

Pagesa e tyre pa shkuar fare në punë, nga auditori është konsideruar e dëmshme për buxhetin dhe shtetin.

“Pagesat e pagave në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, janë pagesa të parregullta dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit, si dhe mosarritje të objektivave të përcaktuara në marrëveshje dhe mos integrim të këtij komuniteti në sistemin aktual. Ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar krijimin e kushteve për vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore”.

Buxheti final për paga dhe mëditje ishte 95,762,153€, ku prej tyre ishin shpenzuar 95,758,690€.

Numri i të punësuarve sipas buxhetit ishte 11,060 punonjës, ndërsa në fund të vitit numri i tyre ishte 10,600 punonjës.