Elbert Krasniqi

DOKUMENT| Ministri Krasniqi së bashku me kabinetin për nëntë muaj shpenzuan më shumë se 14 mijë euro për dreka-darka e derivate

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, së bashku me kabinetin e tij për nëntë muaj kanë shpenzuar 9834 euro e 05 cent për derivate dhe 4557 euro e 25 cent për dreka e darka. Gazeta nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike ka siguruar listën e shpenzimeve.

Gazeta Insajderi ka kërkuar shpenzimet për dreka-darka dhe derivate të Ministrit Elbert Krasniqi dhe kabinetit të tij, të cilat krejt së bashku, vetëm për nëntë muaj, kushtojnë 14 mijë e 391 euro.

Sipas dokumentit të siguruar nga MAPL, që nga muaji janar i këtij viti, 10 dreka e darka zyrtare iu kushtuan hiç më pak se 4557 euro e 25 cent.

Takime këto të cilat janë mbajtur me Delegacionin nga Izraeli, me të cilët janë mbajtur katër takime vetëm gjatë muajit prill dhe janë shpenzuar për dreka e darka gjithsej, 3504 euro. Gjatë muajit janar është mbajtur takim pune me zv.ministrin e Punëve të Brendshme, ku janë shpenzuar 61 euro e 50 cent.

Në muajin shkurt janë shpenzuar 497 euro gjatë punëtorisë për prezantimin e planit të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Takim pune është mbajtur edhe me delegacioni ALDA, në prill, ku janë shpenzuar 138 euro e 50 cent.

Takimi me Ambasadorin e Italisë në prill të këtij viti, MAPL iu ka kushtuar më së paku, në krahasim me takimet tjera, pasi që janë shpenzuar vetëm 48 euro e 50 cent.

Në qershor është mbajtur takim për ditën memoriale të komunitetit Egjiptian dhe janë shpenzuar 61 euro e 90 cent.

Ndërsa në gusht është mbajtur drekë – Ministritë hapin dyert për bashkatdhetarët, ku janë shpenzuar 244 euro e 30 cent.

Derisa për shpenzime të derivateve, të pesë (5) veturave në pronë të Ministrisë së Pushtetit Lokal, iu kushtuan 9834 euro e 05 cent, nga janari e deri në gusht të këtij viti.

Sipas tabelës së shpenzimeve të derivateve të kabinetit të Ministrit Elbert Krasniqi, në pronë të Ministrisë së Pushtetit Lokal janë pesë vetura të tipit: Një Peugot 508, dy Reno Megame, një Land Rover dhe një Dacia.

Vetura e tipit Peugot 508 ka shpenzuar 5945 euro që nga janari deri në gusht të këtij viti.

Vetura e tipit Reno Megame ka shpenzuar 2212 euro e 15 cent.

Vetura e dytë e tipit Reno Megame, ka shpenzuar 1217 euro.

Vetura e tipit Land Rover ka shpenzuar 302 euro e 90 cent.

Vetura e tipit Dacia ka shpenzuar 157 euro.

Gjithashtu gjatë ditës është raportuar për një vendim në të cilin favorizohet Elbert Krasniqi, Ministër i MAPL-së.

Vendimi ku Ministri Sveçla ia ka lejuar që vetura zyrtare e Krasniqit të përdorë targa civile si dhe xhama të errësuar.

Targat civile përdorën për të mos rënë në sy të mediave e qytetarëve në rastet kur pushtetarët abuzojnë me vetura zyrtare, duke i kryer me to edhe pushimet verore.

Krasniqi, si ministrër i Pushtetit Lokal, që nga muajin gusht i këtij viti, është lejuar që të vozitet me veturën me xhama të errësuar dhe targa civile ani pse vetura është zyrtare.