DOKUMENT| Luigj Imeri e punësoi në KEK vëllain 61-vjeçar të Xhafer Gashit

Luigj Imeri, i cili u emërua ushtrues i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut nga Bordi i përkohshëm i Qeverisë Kurti, po del se ka lidhje të forta me kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashin.

Lidhjet e tyre jenë të kahershme dhe kanë shërbyer për t’i sjellë favore njëri tjetrit. Të paktën, Luigj Imeri, po del së është ‘mesiti’ për ta punësuar në KEK vëllain e Xhafer Gashit, për të cilin në atë kohë u bë zhurmë e madhe mediale duke qenë se u punësua si kuadër i ri personi në moshë të pensionimit.

Gazeta Sinjali ka siguruar dëshmi se Luigj Imeri sa ishte në pozitë e drejtorit të Termocentralit Kosova B, kishte hyrë vetë në komision për ta punësuar Enver Gashin.

Në këtë konkurs ku Imeri e kishte futur veten si kryetar i komisionit, në garë ishin hiç me pak se 26 kandidatë, thuajse të gjithë në moshë të re dhe me kualifikim superior sipas kritereve të konkursit.

Nga gjithsej 27 kandidatë, komisioni i kryesuar nga Imeri e kishte reduktuar listën në 6 kandidatë për intervistë me gojë. Aty me pikë maksimale ishte vlerësuar vëllain e Xhafer Gashit, Enverin.

Fiks në moshën 61 vjeçare, vetëm katër vjet para pensionimit, me konkurs të rregullt dhe në një garë të ashpër, Enver Gashi u punësua në KEK në pozitën e inxhinierit të elektroenergjetikës.

Kurse tani, lobim të fuqishëm për Luigj Imerin është dukë bërë Xhafer Gashi, për t’ia mundësuar zgjedhjen në pozitën e kryeshefit ekzekutiv.

Të njëjtit, Imeri e Gashi, vetëm ditëve të fundit prej kur është formuar Qeveria Hoti, kanë pasur disa paraqitje së bashku.

E fundit ishte takimi i djeshëm në Obiliq për ditën e çlirimit, ku në mesin e tyre ishte edhe i punësuari  në KEK në moshën 61 vjeçare, Enver Gashi.

Ditë me parë, Imeri i kishte shkuar Gashit për vizitë në Komunën e Obiliqit se bashku me Bordin e përkohshëm të KEK-ut, të cilin e emëroi qeveria në dorëheqje e Kurtit pas rrrëzimit.

I njëjti, në kuadër të “fushatës” për të marrë pozitën e kryeshefit të KEK-ut, këto ditë e ka takuar edhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçin e AAK-së .

Ky takim, sipas burimeve të sigurta të Gazetës Sinjali, është aranzhuar me ndërmjetësimin e Xhafer Gashit dhe të dy këta së bashku nga zyret e KEK-ut ishin shkuar në takim të ministri Kuçi, i cili e ka zyren e ministrisë në të njëjtën ndërtesë me KEK-un.

Deri në formimin e qeverisë së re të koalicionit LDK, AAK, Nisma e minoritetet, Luigj Imeri ishte kujdesur që të tregohet besnik ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke organizuar disa takime, pritje e vizita me ministrat e Qeverisë Kurti.

Së paku dy herë ishte takuar me ish-kryeministrin Kurti. Një herë e kishte pritur për vizitë në KEK, në elektronet e Kosovës B dhe një herë tjetër i kishte shkuar për vizitë në zyre të qeverisë për t’ia dërguar një dhuratë simbolike.

Veç kësaj, skandal në media doli edhe takimi i Imerit me ushtruesin e detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, i cili e vizitoi KEK-un dhe u takua me Imerin pavarësisht së kjo ndërmarrje publike nuk kishte lidhje me MPB-në.

Kur ishte pyetur për këtë, Sveçla shkurtimisht kishte thënë se kishte takime të zakonshme.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të KEK-ut, Luigj Imeri, në ditët e para kur u emërua në këtë pozitë kishte deklaruar se do ta luftonte nepotizmin e familjarizimin në KEK.

Përveç rastit të vëllait të Xhafer Gashit, Imeri ka edhe një tjetër rast të ngjashëm ku kishte punësuar një familjare të tij me të njëjtën strategji, duke hyrë vetë në komision vlerësues të kandidatëve. Edhe për këtë rast, Sinjali ka siguruar dëshmi të cilat do të raporton në ditët në vazhdim.