DOKUMENT| Kurti e bën U.D. Inspektor të Përgjithshëm militantin e vet të rrjeteve sociale

Kryeministri Albin Kurti sot e ka emëruar Flamur Salihun, i cili njihet për afërsinë me Lëvizjen Vetëvendosje, Zëvendësues të Inspektorit të Përgjithshëm. Ai menjëherë i mbyll disa prej llogarive të tij në rrjetet sociale.

Salihu, i cili ishte Udhëheqës i Divizionit për Komunikim dhe Informim në Zyrën e Kryeministrit, nga sot mban pozitën e Zëvendësuesit të Inspektorit të Përgjithshëm për fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive.

Salihu më herët në një dokument intern u kishte kërkuar ministrive që ta caktonin nga një zyrtar të përhershëm për Fake News.

Sipas vendimit të Qeverisë të siguruar nga Demokracia.com, Zëvendësuesi i Inspektorit të Përgjithshëm në Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm autorizohet të kryejë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e Inspektorit të Përgjithshëm, deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër brenda afateve ligjore.

“Detyrat dhe përgjegjësitë e Inspektorit të Përgjithshëm në Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm janë të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/ L-067 për Inspektimet dhe Ligjin Nr. 06/ L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit nga Kryeministri”, thuhet në vendimin e Qeverisë, përcjell Demokracia.com.

Ky vendim është nënshkruar sot më 7 tetor 2022 dhe është nxjerr në bazë të Ligjit Nr. 06/1-114 për Zyrtarët Publikë dhe nenin 6 (21) të Rregullores (QRK) – Nr. 02/2021 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, e ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren (QRK) Nr. 04/2021 dhe Rregulloren (QRK) Nr. 03/2022.

“Përjashtimisht, një pozitë e rregullt pune në Shërbimin Civil mund të plotësohet në rast të nevojës të zëvendësimit apo mungesës së përkohshme të një nëpunësi civil varësisht nga rasti, për një periudhë jo më të gjatë se 12 (dymbëdhjetë) muaj. Në këtë rast, procedurat e pranimit zhvillohen nga Njësia e Burimeve Njerëzore, në pajtim me rregullat e përcaktuara me këtë ligj për nëpunësin administrativ dhe mbështetës”, thuhet në pikën 4 të nenit 32 të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Ndërsa, në pikën 5 të nenit 32, thuhet se “Qeveria, me propozimin e ministrisë përgjegjëse për administratë publike, me akt nënligjor, miraton rregullat për zbatimin e paragrafit 4 të këtij neni”./Demokracia.com/