Lista e Zezë e Organit Shqyrtues të Prokurimit është aktivizuar pas një pauze të gjatë. Kompania e parë që ka hyrë në këtë listë është “Ero Project”, e denoncuar për mashtrim me dokumente në një tender në Komunën e Gjakovës. Kjo kompani do ta ketë të ndaluar pjesëmarrjen në tenderë deri në fillim të vitit 2023.
Organi Shqyrtues i Prokurimit që njihet edhe si “Gjykata e Tenderëve” ka vendosur që të marrë masa ndaj kompanive që mashtrojnë në tenderët publik.
Në fakt, lista e zezë, që ka qenë aktive disa vite dhe është marrë me këtë punë është kthyer përsëri, shkruan Demokracia.com.
Fatin e zi, që t’i prijë kësaj liste, e ka pasur kompania “Ero Project”, e cila është denoncuar për paraqitje të dokumenteve të rreme në një tender publik në Komunën e Gjakovës.

“Ero Project”, kompani private me bazë në Gjakovë, kishte ofertuar në një tender të Komunës së Gjakovës me dokumentacione të rrejshme, thuhet në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Kompania “Ero Project” është pronë e afaristit nga Gjakova, Berat Syla.
OSHP-ja e ka vendosur kompaninë e tij në “Listë të Zezë” dhe e ka diskualifikuar nga pjesëmarrja në prokurime publike deri në muajin shkurt të vitit 2023.
“Diskualifikohet Ero Project, për shkak të mos prezantimit të dokumentacionit nga ATK dhe Gjykata, dhe atë për gjashtë muaj dhe se të njëjtit i ndalohet pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit publik nga data 19.09.2022 deri më 19.02.2023”, thuhet në vendim, përcjell Demokracia.com.
Në Listën e Zezë të Organit Shqyrtues të Prokurimit, gjatë një viti të plotë kalendarik nuk ishte asnjë kompani private për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës së Tenderëve, si pasojë e bllokimit të organit pa bord.

Kurse, në Arkivin e OSHP-së, tek lista e zezë gjinden me qindra kompani, të cilat kanë hyrë në këtë listë gjatë viteve të kaluara.
Për rreth një vjet e gjysmë, nga viti 2021 deri më 2022, OShP-ja kishte mbetur pa bord si pasojë e skadimit të mandatit të anëtarëve të bordit të kaluar.
Bordi i ri i OSHP-së është zgjedhur në mesin e muajit qershor të këtij viti, me rekomandimin dhe votat e qeverisë dhe shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Kryetare e bordit të “Gjykatës së Tenderëve” ishte zgjedhur Vjosa Gradinaj-Mexhuani, ndërsa anëtarë Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Pterqoj dhe Agon Ramadani. Nita Bejta dhe Agon Ramadani ishin propozuar direkt nga Qeveria e Kosovës, pa qenë pjesë e konkursit./Demokracia.com/









