Komuna e Podujevës

DOKUMENT| Komuna e Shpejtim Bulliqit ia jep tenderin 100 mijë euro për mirëmbajte të rrugëve një kompanie ndërtimore, pronari i saj mik i Salih Zybës

Komuna e Podujevës që drejtohet nga Shpejtim Bulliqi i LVV-së ia ka dhënë tenderin për mirëmbajtje të rrugëve kompanisë që merret me ndërtimin e objekteve banesore dhe rregullimin e kulmeve të shtëpive. Vlera e këtij tenderi peshon hiç më pak se 100 mijë euro. Pronari kompanisë fituese ka foto edhe me deputetin e LVV-së, Salih Zyba.

Bora dhe akulli në rrugët dhe trotuaret e Podujevës këtë dimër do të largohet nga një kompani që punë primare e ka ndërtimin e objekteve banesore dhe rregullimin e kulmeve të shtëpive.

Tenderin në vlerë të 100 mijë eurove “mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve”, kompanisë EING COM ia ka besuar komuna që drejtohet nga Shpejtim Bulliqi.

Madje, kjo kompani i ka fituar dy lotet e këtij tenderi, përkundër që në garë kishte edhe kompani të tjera, shkruan Demokracia.com.

“Vlera e parashikuar e kontratës: 100,000.00 euro. 55,000.00 euro – llot I dhe 45,000.00 euro – llot II. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata EING COM SH.P.K. Data e dhënies së kontratës 01.12.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 06.12.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 3. Mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve – llot II. Data e dhënies së kontratës 01.12.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 05.12.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 3. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata EING COM SH.P.K”, shkruan në njoftimin e shpallur, përcjell Demokracia.com.

Në dosjen e tenderit është treguar se kompania fituese ka për obligim të bëjë largimin e borës dhe akullit në rrugët e qytetit dhe largimin e borës dhe akullit në rrugët e fshatrave, si dhe disa obligime tjera.

Gjithashtu është bërë me dije se kompania do të bëjë kujdestari për një sezon dimëror nga 15 nëntor deri 15 prill.

“Furnizimi (blerja), transporti dhe hedhja e kripës të kombinuar me rërë. Furnizimi (blerja), transporti dhe hedhja e rërës. Pastrimi i  trotuareve. Pastrimi i rrugëve rurale nëpër fshatra dhe zona të thella kur ato bëhen të pakalueshme, (kjo nënkupton heqjen e borës me makineri të rëndë). Ngarkimi, transportimi dhe deponimi i dheut të shembur nga skarpatet e rrugës. Në pozicion përfshihet edhe pastrimi i rrugës pas largimit të dheut. Pastrimi i  rrugës më punë dorë, në ato vende ku nuk mund të hynë me makineri. Transporti i borës nga qyteti deri në deponi në largësi 6 km. Kujdestaria për një sezon dimëror nga 15 nëntor deri 15 prill”.

Por, dyshimet për këtë punë ngriten kur shihet se çfarë pune bën në realitet kompania që ka fituar tenderin në vlerë të 100 mijë eurove.

Sipas përshkrimit që vetë kompania EING COM e ka bërë në ARBK, shihet se nuk kanë asnjë lidhje me borën dhe akullin.

Kjo kompani si punë primare ka treguar se e ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, si dhe punimet e kulmeve.

“Ndërtimi i objekteve banesore dhe jobanesore. Përfundimi dhe finalizimi i punëve të tjera të ndërtesave. Punimet e kulmit (çatisë). Aktivitetet e tjera të specializuara ndërtimi p.k.t. Tregtia e veturave dhe automjeteve me fuqi motorike të vogël. Tregtia e automjeteve të tjera. Tregtia me shumicë e luleve dhe bimëve, etj”.

Gjithashtu dyshimet për këtë tender lidhen edhe me faktin se pronari i kompanisë Eljesah Podvorica, që figuron si i tillë edhe në ARBK, duket i afërt me deputetin e njohur të partisë në pushtet, Sali Zyben.

Madje, këta dy kanë edhe foto së bashku të postuar në rrjetet sociale dhe jo të shkrepur në Podujevë, por në Therandë. /Demokracia.com/