DOKUMENT| Kjo është agjenda e forumit të organizuar nga presidentja Vjosa Osmani, vetëm një president i huaj vjen në Prishtinë

Më 22-23 tetor në Prishtinë do t’i zhvillojë punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Ky forum do të mbahet me iniciativë të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në bashkëpunim me Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, duke u mbështetur edhe nga partnerë vendorë e ndërkombëtarë.

Në edicionin e parë të tij, WPS, pritet të grumbullojë mbi 400 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, në fokus të të cilit do të jetë trajtimi i çështjeve që ndërlidhen më gratë, paqen dhe sigurinë.

Ndonëse thanë se në këtë forum pritet të marrin pjesë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit, Osmanit do t’i bashkohet vetëm një president i huaj, shkruan Demokracia.com.

Forumi synon të diskutojë jo vetëm sfidat në përballje me paqen dhe sigurinë globale, por edhe trajtimin dhe zgjidhjet eventuale.

Demokracia.com ka siguruar agjendën e plotë të këtij forumi.

Sipas agjendës duket se Osmani nuk ka marrë ndonjë konfirmim lidhur me ftesën që i kishte bërë presidentit amerikan Joe Biden, që të jetë pjesë e këtij forumi përmes një videomesazhi.

Demokracia.com ditë më parë ka raportuar për ftesën që Osmani i kishte dërguar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga agjenda që ka siguruar Demokracia.com mësohet se në forum do të marrë pjesë vetëm një president i huaj, ai i Maltës, George Vella, si dhe ish-presidentja e Estonisë, Fersti Kljulaid.

Përmes një videomesazhi, pjesëmarrësve do u drejtohet edhe Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metasola.

Pjesë e WPS do të jetë edhe Kryetarja e Parlamentit të Latvisë, Inara Murniece dhe Kryetarja e Parlamentit të Sllovenisë, Urshka Kakoçar Zupançiç.

Edhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të jetë pjesë e forumit.

Në këtë forum do të marrin pjesë edhe disa ministra e deputetë të vendeve të ndryshme, shkruan Demokracia.com.

Në njërën nga ditët forumit do t’i bashkohet edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndryshe, WPS është forum, i cili paraqet një nga zotimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për Samitin për Demokraci, të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.