DOKUMENT| Kadri Rahimaj do ta shkarkojë nënkryetarin që përdori gjuhë të urrejtjes kundër shqiptarëve

Dalibor Filipoviq nuk do ta gëzojë pozitën e nënkryetarit të Komunës së Kamenicës. Kjo pasi vetëm pak ditë pas emërimit të tij nga kryetari Kadri Rahimaj, Demokracia.com gjeti statuse të tij ku ai e mbështeste gjuhën e urrejtjes kundër nënave gjakovare të ish-ministrit Aleksandër Jabllanoviq. 

Pas raportimit të Demokracia.com rreth Filipoviqit pati reagime të shumta në opinion nga partitë opozitare e shoqëria civile të cilët kërkuan shkarkimin e tij.

Por Kadri Rahimajt të Vetëvendosjes iu deshën më shumë se dy muaj për shkarkimin e tij.

Rahimaj po tenton që fshehurazi, në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal ta shkarkojë zëvendësin e tij kontrovers, shkruan Demokracia.com.

Në një e-mail që i është dërguar Komitetit për Politikë dhe Financa të kësaj komune thuhet se në rend të ditës së mbledhje së Kuvendit Komunal që planifikohet të mbahet me 28 ose 29 korrik të këtij muaji të bëhet shkarkimi i tij.

Por, komuna nuk e ka dërguar vendimin për shkarkimin e Filipoviqit.

“Sqarim -Për shkaqe elektronike, Propozim Vendimin për Shfuqizimin të Vendimit nr.14823, ua sjell në ditën e mbledhjes.”, thuhet në e-mail, raporton Demokracia.com.

Ndonëse në e-mailin për KPF nuk është cekur se vendimi ka të bëjë me shkarkimin e Filipoviqit, Demokracia.com ka gjetur se vendimi me nr.14823 është vendimi për emërimin e Filipoviqit si zëvendës i Rahimajt.

Demokracia.com në muajin maj ka raportuar se Filipoviq kishte përkrahur fuqishëm ish-ministrin Aleksandar Jabllanoviq, i cili mori reagime të ashpra, pasi i kishte fyer nënat gjakovare.

Filipoviq në disa postime në Facebook e kishte mbështetur ish-ministrin Jabllanoviq për fyerjet që i kishte bërë ndaj nënave gjakovare duke thënë se nuk ka qenë gabim nëse i ka quajtur “egërsira”

Në një koment, ai i referohet Kosovës si “Kosova e Metohi” dhe thotë se termi “egërsira” ndaj nënave gjakovare nuk ka qenë aspak gabim.

Veç kësaj, Demokracia.com në llogarinë në Facebook të Filipoviqit ka vërejtur se ai ka shpërndarë edhe poezi kushtuar serbëve të vrarë në Koshare.

Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, kjo parti në vazhdimësi kishte kritikuar qeveritë tjera se po emëronin në pozita serbë që fyejnë e nuk e njohin shtetin e Kosovës. Goran Rakiq i Listës Serbe është emëruar Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.