DOKUMENT| Gërvalla keqpërdor festën e pavarësisë për hesape të Listës Guxo

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e ka braktisur përvjetorin e 14-të të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe ka shkuar në Gjermani për tu siguruar se miku i saj dhe miku i saj i Listës Guxo, Muhamet Idrizi, të mbajë fjalim në Konsullatën e Kosovës në Hamburg. Në këtë mënyrë, Gërvalla-Schwarz ka shkaktuar incident të rëndë.

Ministrja e Jashtme pa ndonjë paralajmërim ka shkuar në festën për shënimin e 14 vjetorit të pavarësisë të organizuar nga kjo Konsullatë dhe ka thyer protokollin, shkruan Demokracia.com. Madje, ajo nuk e ka lejuar që në ngjarje të flasë Konsulli i Përgjithshëm në largim, Gramos Begolli. Ajo në mënyrë arbitrare ia ka marrë të drejtën e fjalës konsullit Begolli.

Gërvalla- Schwarz për më tepër ka urdhëruar që të pranishmëve në këtë ndejë t’u drejtohet miku i saj dhe partisë që ajo udhëheq Listës Guxo, Muhamet Idrizi.

Pas këtij skandali, konsulli Begolli i është drejtuar me një letër kryeministrit të vendit, Albin Kurti, kryeparlamentarit Glauk Konjufca si dhe Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Kuvendin e Kosovës.

Demokracia.com nga burime brenda Kuvendit të Kosovës ka arritur të sigurojë letrën në të cilën Begolli ankohen për sjellje të pahijshme të ministres, Gërvalla- Schwarz.

Në këtë letër konsulli Begolli i ka lajmëruar udhëheqësit e shtetit se si një natë më parë gjatë ceremonisë së organizuar për nder të Ditës së Pavarësisë, një person që ka pretenduar se është ministrja Gërvalla i ka shkruar në ‘Whatssap’ dhe i ka kërkuar që në listën e të ftuarve dhe folësve të futet edhe miku i saj, Muhamet Idrizi.

“Një ditë para mbajtjes së eventit, në ora 19:17 unë kam pranuar një mesazh përmes Whatsapp-it ku thuhej se ‘Unë jam Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, znj. Donika Gërvalla dhe kërkoi nga ju përfshirjen e një personi të komunitetit shqiptarë në listë (Muhamet Idrizit), si dhe të kërkojë falje për mospërfshirjen e një personi të komunitetit shqiptar në listën e të ftuarve’. Personi në fjalë udhëheq një shoqatë shqiptare dhe është i afërt me zonjën Gërvalla dhe Listën Guxo”, shkruan Begolli në letrën e siguruar nga Demokracia.com.

Begolli po ashtu ka treguar se ka kërkuar konfirmim nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti dhe nga sekretari i MPJD-së që t’i vërtetohet nëse numri është i ministres Gërvalla.
Begolli në këtë letër ka thënë se ministrja e Jashtme me këtë rast ka shkelur protokollin e Republikës së Gjermanisë, por edhe të Kosovës.

“Të nesërmen ministrja Gërvalla shfaqet në ambientet e Konsullatës duke injoruar tërësisht protokollin zyrtar, i cili është i domosdoshme të respektohet gjatë vizitave të nivelit të lartë. Në këtë mënyrë është shkelur protokolli diplomatik në relacionin me shtetin mik të Gjermanisë. Më pas, unë u ftova për një bisedë në zyrë, me ç’rast ministrja më akuzoi për dëgjueshmëri dhe më tha se unë nuk do të flas në event, por do të flet vet ministrja si dhe Muhamet Idrizi. Përmes këtyre veprimeve ministrja e shndërroi një event të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës në një event partiak privat”, thekson Begolli.

Për më tepër ai ankohet se nga lista e të ftuarve është larguar një diplomat i akredituar dhe në vend të tij është futur mbështetësi i Listës Guxo.

“Ajo (ministrja Gërvalla) hoqi nga agjenda e eventit një diplomat të akredituar dhe përfaqësues të institucioneve dhe e zëvendësoi me një aktivist partiak. Për më tepër, Ministrja erdhi në Gjermani duke shkelur protokollin e shtetit të Gjermanisë si dhe atë të Kosovës, duke udhëtuar në mënyrë private për të marrë pjesë në një event zyrtarisht të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar tutje Begolli.

Letra e plotë e Konsullit, Begolli:

I nderuar Kryeministër z.Kurti

I nderuar Kryetar i Kuvendit z. Konjufca

Po ju shkruaj për të përcejllur shqetësimet në lidhje me zhvillimet rreth organizimit të përvjetorit të 14-të të pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Konsullata e Përgjithshme në Hamburg.
Në përputhje me protokollin dhe kufizimet e shkaktuara nga pandemia Covid-19 unë si Konsull  i Përgjithshëm bëra përgatitjet e nevojshme për organizimin e këtij eventi me 50 pjesëmarrës.
Duke marrë parasysh rrjetin e gjerë diplomatik që ka Konsullata si dhe komunitetin e madh shqiptar që jeton këtu, krijimi i listës finale prej 50 personave nuk ishte detyrë e lehtë. Kështu që prioritet I është dhënë rëndësisë dhe integritetit të personaliteteve të ftuara për Konsullatën.

Një ditë para mbajtjes së eventit, në ora 19:17 unë kam pranuar një mesazh përmes Whatsapp ku thuhej se unë jam Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, znj. Donika Gërvalla dhe kërkoi nga ju përfshirjen e një personi të komunitetit shqiptarë në listë (Muhamet Idrizit), si dhe të kërkojë falje për mospërfshirjen e një personi të komunitetit shqiptar në listën e të ftuarve. Personi në fjalë udhëheq një shoqatë shqiptare dhe është u afërt me znj,. Gërvalla dhe Listën Guxo.

Unë shkrova prapë në atë numër dhe kërkova që të gjitha kërkesat zyrtare bëhen përmes rrjeteve zyrtare të komunikimit sipas rregulloreve në fuqi.
Gjithashtu, kërkova nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani dhe Sekretari I Përgjithshëm i MPJD-s, konfirmimin që numri I cili më ka dërguar mesazhin në Whatsapp është me të vërtet i ministres.

Të nesërmen ministrja Gërvalla shfaqet në ambientet e Konsullatës duke injoruar tërësisht protokollin zyrtar të cilin është e domosdoshme të respektohet gjatë vizitave të nivelit të lartë.
Në këtë mënyrë është shkelur protokolli diplomatik në relacionin me shtetin mik të Gjermanisë,

Më pas, unë u ftova për një bisedë në zyrë, me ç’rast ministrja më akuzoi për dëgjueshmëri dhe më tha se unë nuk do të flas në event por do të flet vet ministrja si dhe Muhamet Idrizi.
Përmes këtyre veprimeve ministrja e shndërroi një event të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës në një event partiak privat.

Ajo hoqi nga agjenda e eventit një diplomat të akredituar dhe përfaqësues të institucioneve dhe e zëvendësoi me një aktivist partiak. Për më tepër, Ministrja erdhi në Gjermani duke shkelur protokollin e shtetit të Gjermanisë si dhe atë të Kosovës duke udhëtuar në mënyrë private për të ,arrë pjesë në një event zyrtarisht të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës.
E gjithë kjo në përvjetorin e 14-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Unë jam i gatshëm të raportojë para të gjitha instancave shtetërore për këtë incident.

Sinqerisht, Gramos Begolli.

Se ka mbajtur fjalim në këtë event e ka konfirmuar përmes postimeve në rrjete sociale edhe miku i Gërvallës, Muhamet Idrizi.

Ai ka publikuar video dhe fotografi nga kjo ngjarje.

Muhamet Idrizi nuk e fsheh në rrjete sociale miqësinë me ministren. Ai vazhdimisht poston fotografi dhe aktivitete të saj.