DOKUMENT| Fillon mbarë rekrutimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve, të “privilegjuarit” nuk e kalojnë testin kualifikues

Më 17 shtator 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur testin kualifikues për rekrutimin e 22 prokurorëve. Siç duket ky proces ka filluar mbarë pasi që këtë fazë nuk e kanë kaluar familjarët dhe të afërmit e figurave të pushtetshme në Republikën e Kosovës.

Në mesin e kandidatëve që nuk e kanë kaluar testin kualifikues është Nita Lumezi (vajza e ish-Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi), Edis Kuraja (djali i Suad Kurajës, ish-prokuror i Qarkut), Sabina Gjocaj (vajza e Curr Gjocajt, ish-drejtor i SHSKUK-së), Arta Kelmendi (koordinatore në zyrën e trajnimeve në KPK), etj.

Lista e kandidatëve që nuk e kanë kaluar testin

Në mesin e kandidatëve që nuk kanë kaluar testin kualifikues janë edhe ata të cilëve testet u janë shpallur si të pavlefshme për arsye se kanë shkelur Udhëzuesin me rregullat e provimit për kandidatin ku përcaktohet se “Kandidati duhet të shënoj përgjigjen e tij vetëm në Fletëtestim” si dhe “Kandidatit nuk i lejohet që të shënojë ndonjë emër, numër apo çfarëdo shenje tjetër dalluese në ndonjërën prej fletëve të provimit”.

Burimet e Demokracia.com kanë thënë se disa nga këta kandidatë kanë parashtruar ankesë te Komisioni për Rishqyrtim i cili përbëhet nga Veton Shabani (Zv.Kryesues i KPK), Shqipdon Fazliu (Prokuror në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit), Ikramije Bojaxhiu (Prokurore në Prokurorinë e Apelit). Ankesat e tyre pritet të trajtohen shumë shpejt në përputhje me rregulloren nr. 02/2022 si dhe Udhëzuesin me rregullat e provimit për kandidatin gjatë testit kualifikues.

Shqipdon Fazliu, më 28 prill të këtij viti kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Mirëpo në korrik të këtij vitit, Gjykata Kushtetuese e kushte hedhur poshtë si të papranueshme  ankesën e bërë nga Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti lidhur me propozimin e Blerim Isufajt për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kujtojmë se gjatë kohës kur Aleksandër Lumezi ka qenë Kryeprokuror i Shtetit, KPK me datë 11.02.2022 kishte miratuar Rregulloren nr. 02/2022 për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e Prokurorëve të Shtetit.

Gjatë vitit 2022, KPK kishte hapur konkurs për rekrutimin e 16 prokurorëve. Mirëpo në mesin e qindra aplikuesve, këtë proces e kishin përfunduar me sukses vetëm 6 kandidatë të cilët janë emëruar si prokuror të shtetit.

Njëkohësisht me procesin e rekrutimit të prokurorëve nga KPK dhe KGJK me datë 25 shtator 2022 edhe KGJK kishte mbajtur testin kualifikues. Përndryshe edhe në procedurën e rekrutimit për gjyqtar, nuk kanë arritur të kalojnë Agron Kuçi (ish-Kryetar i Komunës së Junikut), Meriton Zika (djali i Shaqir Zikës, gjyqtar i Krimeve të Rënda në Gjakovë), Kosovare Sopi (avokate), etj.

Procedura e rekrutimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj është duke u monitoruar nga afër prej mediave, shoqërisë civile si dhe ambasadave dhe organizata ndërkombëtare në shtetin e Kosovës. Këto procese janë në qendër të vëmendjes sidomos pas rasteve të fundit të dhunimit të fëmijëve pastaj të dhunës në familje si dhe rasteve tjerave kriminale që kanë zgjuar opinionin publik në vendin tonë. /Demokracia.com/