Doktorët paralajmërojnë se Ukrainën mund ta godasë edhe një telashe tjetër

Zyrtarët globalë të shëndetësisë kanë paralajmëruar se do të ketë një rritje të rasteve me COVID-19 në Ukrainë pas pushtimit rus.

Por, mjekët shqetësohen gjithashtu edhe për një rritje të sëmundjeve të tjera infektive: poliomielitit, kolerës dhe fruthit.

Para luftës, Ukraina kishte shkallë të ulët të vaksinimit kundër këtyre sëmundjeve, tha të martën për CNN, Kate White, menaxhere e programit të urgjencës për Doctors Without Borders.

“Për sa i përket asaj që ne e quajmë sëmundje të parandalueshme nga vaksina, statusi në Ukrainë ishte se popullsia nuk ishte e vaksinuar në shkallën e imunitetit të masës, si në shumë vende të tjera europiane ose në SHBA”, tha White për CNN.

Ajo tha se marrë parasysh edhe situatën ku gjendet Ukraina, ku s’mund të ketë një imunizim rutinë për shkak se sistemi shëndetësor është ndërprerë, si dhe kushtet e tjera si mungesë e ujit, rrymës problemet me kanalizimet, ka rrezik në rritje.

“Kishte një shpërthim të poliomielit në Ukrainë vitin e kaluar. Ukraina ishte vendi i fundit në Europë që pati shpërthim të kolerës në vitin 2011 dhe kjo ishte në Mariupol. Siç jeni ndoshta në dijeni, Mariupol tani ka probleme të mëdha rreth ujit dhe kanalizimeve dhe s’ka mundësi që të kryejë aktivitetet bazë të përditshme rreth higjienës”.

White shtoi se ajo ka dëgjuar për disa mjekë dhe vullnetarë që rezultuan pozitivë për COVID-19 derisa ishin në Ukrainë, por se “kapaciteti i testimit është minimal për momentin”.

Javën e kaluar, zyrtarët në Organizatën Botërore të Shëndetësisë thanë se derisa pandemia vazhdon, pushtimi i Rusisë do të ndikojë në përhapjen e koronavirusit.