Dogana e mbyll terminalin në kufi me Serbinë, qindra punëtorë mbesin pa punë (DOKUMENT)

Terminali që ka operuar deri më tani në Merdare, nuk do të jetë më funksionale. Dogana e Kosovës me një njoftim befasues ka treguar se kësaj pike do t’i vendoset dryni pas dy ditësh. Demokracia.com ka siguruar njoftimin që i ka shkuar operatorëve për këtë çështje.

Shërbimet që i kanë kryer qytetarët e Kosovës në terminalin në Merdare, tash e tutje nuk do të mund t’i kryejnë më.

Dogana e Kosovës ka vendosur që ta mbyll këtë pikë dhe vendimi për këtë hyn në fuqi pas dy ditësh.

Demokracia.com ka siguruar dokumentin që e dëshmon këtë vendim të Doganës së Kosovës.

“Siç jeni në dijeni se për shkak se kushtet që kanë mundësuar vendosjen e zyrës doganore në terminalin e operuar “Diana” në Merdare pushojnë nga data 18.06.2022, Dogana e Kosovës detyrohet të pushoj veprimtarinë si zyre në këto hapësira dhe me këtë tërheq stafin dhe ndal operimin zyrtar”, thuhet në një shkresë të Doganës së Kosovës, përcjell Demokracia.com.

Kurse, një njoftim të tillë e ka lëshuar edhe vetë terminali doganor “Diana”, duke treguar se po e ndërprenë aktivitetin e punës.

“Bashkangjitur e gjeni shkresën përmes së cilës ju njoftojmë se nga data 18.06.2022 do të ndërpritet aktiviteti i punës së doganës në terminalin doganor “Diana”.

Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com ka kontaktuar edhe më njërin nga punëtorët e kësaj pike doganore, i cili ka thënë se është befasuar me vendimin që ka marrë Dogana e Kosovës.

“Jemi zënë në befasi edhe ne. Nuk e kemi prit që një njoftim/vendim i tillë do të vije. Nuk ka pas as paralajmërime se kjo do të ndodhë. Neve na është thënë se të largohemi nga aty pas dy ditë. Tash jemi duke shkuar në Komunën e Podujevës që të ankohemi, pasi ne operojmë si biznese të kësaj ane”, ka treguar ky punëtor për Demokracia.com.

Ai tutje ka thënë se me largimin nga kjo pikë doganore do të mbesin pa punë qindra punëtorë. Por, sipas tij, as qytetarët më nuk do të mund të kryejnë punë dhe ata tash duhet që këto shërbime t’i marrin në Prishtinë, në pikat që janë funksionale”, ka thënë ai.

Në vitin e kaluar, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se terminalet doganore shtetërore do të shtrihen në tërë vendin.

“… nga Drejtori i Doganave u kërkua që të vazhdojë me punën e mirë, dhe u dakorduan që deri në mesin e vitit të ardhshëm në gjithë territorin e vendit të shtrihen terminalet doganore shtetërore”, ishte thënë në njoftimin që kishte lëshuar Qeveria, pas një takimi që ka pasur kryeministri Kurti me drejtorin e Doganave të Kosovës.