Gjatë ditës së sotme mediat kanë raportuar për një vendim të shtetit serb, që thuhej se ishte marrë në ora 00:00 mëngjesin e sotëm nga institucionet serbe, se mallrat që vijnë nga Evropa dhe që kanë destinacion Kosovën, do të bllokoheshin në pika kufitare.
Lajmin për kolona të gjata të krijuara në pikën kufitare të Hungarisë dhe Serbisë, e konfirmuan edhe disa biznesmenë kosovarë, por që nuk kishin marrë ndonjë arsye konkrete.
Nga Qeveria në Kosovë, zëdhënsja e qeverisë, Donjeta Gashi, tha për media se nuk ka asgjë zyrtare për një vendim të tillë, transmeton Ballkani.info.
Në një prononcim për Ballkani.info, zëdhënësi i Doganave në Kosovë, Adriatik Stavileci, ka thënë se nuk ka pasur ndonjë fluks në pikën kufitare me shtetin serb dhe se nuk ka informacion zyrtar për ndonjë vendim nga shteti Serb.
“Nuk ka pasur ndonjë fluks të madh ditën e sotme, nuk ka pasur asgjë të pazakontë ndërsa për vendimin e shtetit serb për ti bllokuar mallrat që kanë destinacion Kosovën, as ne nuk kemi ndonjë informacion zyrtar” ka thënë Stavileci për Ballkani.info.
I pyetur se a do të ndikonte një situatë e tillë, Stavileci është shprehur i pashqetësuar pasi që, sipas tij rrugët e Serbisë edhe më herët janë shfrytëzuar më shumë për produkte që janë importuar nga shteti serb, ndërsa mallrat nga pjesë tjera të botës kanë rrugë alternative.
“Rrugët e Serbisë janë shfrytëzuar më shumë nga bizneset që kanë importuar nga shteti serb, ndërsa tregtia prej Azisë është zhvilluar përmes portit të Selanikut kurse një pjesë e tregtisë së Evropës është zhvilluar përmes portit të Durrësit” ka thënë Stavileci për Ballkani.info.
Kujtojmë se përfaqësues të lartë të institucioneve në Serbi, kishin paralajmëruar një lloj ‘hakmarrje’ ndaj taksës prej 100% të vendosur nga Qeveria e Kosovës ditë më parë për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. /Ballkani.info/







