Dodik thotë se në Bosnjë nuk do të kalojë asnjë temë që lidhet me Kosovën

Presidenti i entitetit Republika Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, ka thënë se do të përkujdeset që në Bosnjë të mos kalojë asnjë temë që ka të bëjë me Kosovën.

“Madje edhe ato të procesit të Berlinit, ku është kërkuar që kartat e identitetit të njihen si legjitime, nuk do të kalojnë në Bosnjë-Hercegovinë”, ka thënë Dodik në faqen e tij zyrtare. “Ne kemi qëndrimin tonë ndaj kësaj dhe asgjë nuk ka ndryshuar”.

Dodik ka reaguar pasi që Bosnjë-Hercegovina kishte abstenuar në votim për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Dodik ka pyetur se pse “Serbia e mbështet integritetin territorial të Bosnjë e H., nëse Bosnjë e H. nuk e mbështet integritetin territorial të Serbisë”.

“Vetë fakti se është cenuar e drejta e votës së Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës për të vendosur për votimin për pranimin e Kosovës së vetëshpallur në Këshillin e Evropës, tregon tashmë se Bosnjë-Hercegovina ka vendosur qëndrimin e saj”, tha Dodik.

Dodik ka thënë se “myslimanët e Bosnjës nën presionin e BE-së dhe amerikanëve po sillen në atë mënyrë”.

“Të gjithë në Bosnjë-Hercegovinë e dinë, përfshirë edhe unë dhe të tjerët, se anëtari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe ish-anëtari i Presidencës, Shefik Xhaferoviq, kur ishte ende në Presidencë, po ta kenë mundësinë minimale do ta njihnin të ashtuquajturën Kosovë. Por, për ne Kosova e vetëshpallur nuk njihet”, tha Dodik.