Dodik: S’kam emocione për mos ardhjen e Thaçit, më lehtë kur nuk është këtu

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ka komentuar mos ardhjen e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sarajevë, duke thënë se ‘mund të jetë më e lehtë kur ai nuk merr pjesë’.

Dodik përsëriti se Kosova nuk u njoh si shtet nga BeH dhe disa vende të tjera të SEECP dhe se ishte rënë dakord më herët që Kosova të marrë pjesë në samit me fusnotë.

“Nuk ka asnjë indikacion se ky është një shtet i pavarur dhe brenda këtij formati, Thaçi është ftuar gjithashtu. Unë nuk jam këtu përgjegjës për çështjet sociale në nivel ndërkombëtar,” tha Dodik.

Sipas tij, presidenti Thaçi me mos ardhjen e tij ka dashur të tërheqë vëmendjen ndaj tij, ndonëse ky i fundit kishte thënë më herët se nuk do të marrë pjesë për shkak se Kosova është ftuar me fusnotë.

“Nuk kam kurrfarë emocionesh ndaj asaj nëse vjen ose jo, ndoshta më e lehtë do të ishte që nuk është këtu”, vlerësoi Dodik.

Ndryshe, Republika e Kosovës, të cilën BeH nuk e njeh si një shtet, në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u ftua me fusnotë.

Mediat boshnjake përkujtojnë se presidenti i Kosovës në muajin maj ka refuzuar të marrë pjesë në konferencën vjetore të BERZH-it në Sarajevë për shkak se Bosnja nuk e ka pranuar Kosovën. ​

loading…